Kemi parë e dëgjuar për receta e kombinime të ndryshme në brumin e bukës, por besoni ose jo në Kosovë ka ndodh një rast skandaloz, ku furrtari ka shitur bukë të gatuar me hekur, raporton Gazeta Sinjali.
Një qytetar është rrezikuar nga gëlltitja e një cope metali në Pejë.
Fati e ka shpëtuar nga më e keqja ose nga ndonjë ndërhyrje e mundshme kirurgjike, pasi kishte gjetur një copë të hekurit në bukën e blerë.
Një furrtar i pakujdesshëm i kësaj komune, krahas farave të ndryshme ka gatuar brumin e bukës së bashku me një copë metali, duke e venë në shitje për konsumatorët, shkruan Gazeta Sinjali.
Buka është shitur sot në furrën që gjendet afër Shkollës së Artit në Pejë ndërsa blerësi i saj ka mbetur i shokuar nga ajo që ka parë.
Pejani i ka dërguar fotografitë nga vendi i ngjarjes në redaksinë e Gazetës Sinjali.
Për ironi, siç duket furrtari i pakujdesshëm i kësaj furre ka keqkuptuar thënien “I fortë si hekuri” dhe “ka dashur” ta jetësojë në praktikë këtë maksimë duke u ofruar klientëve të tij bukë me hekur./Gazeta Sinjali/