image Këta janë dy të arrestuarit që tmerruan fshatin Bare të Mitrovicës, dyshohen për tentim vrasjen

Siguri

Këta janë dy të arrestuarit që tmerruan fshatin Bare të Mitrovicës, dyshohen për tentim vrasjen

news image

Dy persona kanë përfunduar mbrëmë në prangat e Policisë si të dyshuar për tentim vrasje në fshatin Bare të Mitrovicës. Përveç gjuajtjeve me armë zjarri, të dyshuarit i rrahën edhe me shufra metali tre persona. Këta të fundit u dërguan në spital për shkak të lëndimeve, ndërkohë që personat e arrestuar janë ndaluar.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se dy të dyshuarit që u kapën nga Policia janë: Azem Beqiri dhe Valon Beqiri, ndaj të cilëve u lëshua urdhër për t’u dërguar në mbajtje, në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Por si ndodhi ngjarja?

Sipas deklaratave të dhëna nga viktimat e rastit, gjithçka ndodhi kur ata ishin në veturën e tyre të parkuar, kur u ballafaquan me dy të dyshuarit. Të njëjtit i rrahën me shufra metali dhe gjuajtën me armë zjarri në drejtim të tyre.

Sipas burimeve të Sinjalit, viktimat kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e goditjeve me shufra dhe jo nga arma e zjarrit, me ç’rast janë dërguar në spital për tretman mjekësor.

Ndërkohë Policia mbrëmë ka njoftuar se pasi Njësia e hetimeve ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kryer ekzaminimet e nevojshme,  kanë gjetur 1 fishek dhe një gëzhojë.

Dy të dyshuarit u prangosën dhe u dërguan në stacion policor për intervistim, ku pas përfundimit të procedurave, me urdhër të prokurorit u ndaluan.

Të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprat ‘’Vrasje në Tentativë’’, ‘’Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’’, ’’Armëmbajtje pa leje’’ dhe ‘’Lëndim i lehtë trupor”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/