Mbrëmjen e së premtes, Dogana e Kosovës zbarkoi në kompanitë HIB Petrol, Alfa Trade dhe Fer Petrol, të cilat dyshohet se kanë kryer aktivitete në kundërshtim me ligjin. Gjatë kontrollit u zbulua se me anë të ikjes së taksave, buxhetit të shtetit i janë shkaktuar dëme hiç më pak se rreth 600 mijë euro.
Pas zyrtarit të HIB Petrol, Fatbardh Xhaferi, i cili u arrestua mbrëmë në aksionin e zhvilluar bashkë me Policinë e Kosovës, janë arrestuar edhe pronarët e dy kompanive tjera, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se mbrëmë gjatë aksionit kanë përfunduar në pranga edhe Hajdar Hajdari, i cili është pronar i kompanisë Alfa Trade, dhe Mehdi Gjoka, i cili është pronar i kompanisë Fer Petrol.
Ndryshe, mbrëmë Gazeta Sinjali ka raportuar për arrestimin e menaxherit të HIB Petrol, Fatbardh Xhaferi, i cili dyshohet se ka keqpërdorur autorizimet që i janë dhënë.
Sipas dyshimeve fillestare, ai ka bërë shmangie të obligimeve tatimore me qindra mijëra euro.
E këtë shmangie dyshohet se e ka bërë përmes derivateve të naftës të parapara për nevojat e ambasadave, të cilat janë të liruara nga akciza.
Ndërsa sot përmes një njoftimi, Dogana e Kosovës bëri të ditur se pas inspektimeve që janë bërë janë gjetur dyshime në tregtinë me derivate të naftës, ku janë zbuluar edhe dokumente të falsifikuara.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.