image Kusari - Lila: Taksa 5 euro ishte gabim, do të zbardhet pse e nënshkroi zv/ministri Durmishi - Sinjali

Kusari – Lila: Taksa 5 euro ishte gabim, do të zbardhet pse e nënshkroi zv/ministri Durmishi

news image

Shefja në detyrë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, pretendon se vendimi për 5 euro taksë, për tiketën ngjitëse të automjeteve, është marrë gjatë kohës kur ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, nuk ishte në Kosovë.

Kusari-Lila ka thënë se brenda Ministrisë së Infrastrukturës ka pasur dy interpretime të ndryshme sa i përket taksës për tiketën ngjitëse, njëri grup që ka qenë për vendosjen e kësaj takse dhe tjetri që e ka kundërshtuar.

Ndërkaq, ajo thotë se deputetët e LVV-së kanë qenë pothuajse të një mendimi, që vendimi për këtë tiketë, të tërhiqet.

“Ka qenë konsensus pothuajse i plotë në Grupin e LVV-së se kjo [taksë] duhej tërhequr. Pos faktit të pezullimit të tiketës duhet të zbardhen hapat që çuan deri te ky vendim”, tha ajo në TV Dukagjini.

Kusari-Lila ka thënë se që nga fillimi e ka ditur që vendimi për taksën prej 5 euro ka qenë një “gabim apo nguti”, derisa ka thënë se duhet të zbardhen rrethanat që çuan te marrja e këtij vendimi.

“E vlerësoj që ka pasur një reagim nga vetë ministri Liburn Aliu. E dyta do të zbardhen dhe të priten vendimet tjera për të parë të gjitha hapat që e kanë shtyrë zëvendësministrin Durmishi për të nënshkruar këtë marrëveshje”, tha ajo.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes thotë se është pozitive që marrëveshja nuk ka filluar të zbatohet./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin