Policia e Kosovës, Njësia e Krimeve të Rënda, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj dhe me urdhër të Gjykatës kanë nisur në orët e hershme të mëngjesit një aksion në disa lokacione të ndryshme. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, tha për Sinjalin se operacioni ka të bëjë me fajde dhe po kryhen bastisje në Prishtinë, Podujevë dhe Vushtrri. Më vonë Prokuroria doli me njoftim zyrtar, ku u bë e ditur se janë arrestuar katër persona, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet se dy nga të arrestuarit janë babë e bir nga Podujeva, Bashkim dhe Albi Mulolli.
Sipas Prokurorisë, gjatë këtij aksioni, janë duke u kontrolluar dhe bastisur, shtëpi dhe lokale përcjellëse në lokacione të ndryshme, konkretisht në qytetin e Prishtinës dhe Podujevës, për shkak të dyshimit të veprave penale “Fajdeja”, “Shmangia nga tatimi” ,“Detyrimi” dhe “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozi te paligjshëm”.
Lidhur me aksionin është deklaruar edhe ministri i i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se angazhimi ndaj çdo lloj krimi do të intensifikohet.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.