image Këta janë 5 zyrtarët tjerë policorë që u arrestuan pas festës tragjike të gjeneratës së 55

Ekskluzive

Këta janë 5 zyrtarët tjerë policorë që u arrestuan pas festës tragjike të gjeneratës së 55

news image

Zyrtari policor Lirim Haxholli, 27-vjeçar, u vra mbrëmë në një vilë në Zllatar të Prishtinës. Ai dyshohet se u qëllua aksidentalisht nga kolegu i tij, polici Fatlum Mehmeti. Ngjarja tragjike ndodhi gjatë një feste që Lirimi, Fatlumi dhe 13 zyrtarë të tjerë kishin organizuar për qejf.

Fatlum Mehmeti u arrestua nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe u suspendua nga detyra, si i dyshuar për veprën penale “vrasje”.

Mehmeti nuk është i vetmi që u prangos nga IPK. Pas vrasjes së Lirimit, edhe 5 zyrtarë të tjerë u arrestuan dhe u ndaluan për 48 orë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se zyrtarët policorë që u arrestuan nën dyshimin për veprën penale “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” dhe “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” janë: ​
Gëzim Tahiri
Enis Imeri
Florent Ahmeti
Elit Thaqi
Bleart Misiri

“Me dyshimin se kanë kryer veprën penale të “Shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga Inspektorati Policor janë arrestuar edhe 5 zyrtarë tjerë policorë (që ishin prezent në ndejë) kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe të njëjtit janë suspenduar”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Inspektorati ka njoftuar se përveç gjashtë personave të arrestuar, ka rekomanduar edhe suspendimin për 9 zyrtarë policorë që ishin pjesë e festës së mbrëmshme në fshatin Zllatar të Prishtinës.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/