Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës (KPMShCK), ka reaguar ndaj inicimit të shkarkimit të anëtarëve të saj nga Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.
Përmes një komunikate për media, KPMSHCK veprimin e Komisionit e ka quajtur cenim dhe ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën e tyre.
“Këshilli ka bazë të mjaftueshme të konsiderojë se qasja e fundit e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal në Kuvendin e Kosovës, është cenim dhe ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, si institucion i pavarur që siguron respektimin e rregullave dhe parimeve që e rregullojnë Shërbimin Civil në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës.
KPMShCK konsideron se inicimi i procedurës për shkarkimin e anëtarëve të saj, i ngjan një gjyqi të njëanshëm me pasoja frikësimi, andaj i ka bërë thirrje Kryesisë së Kuvendit të marrë masa për këtë situatë.
“Inicimi i procedurës për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, pa u përmbushur asnjë kusht ligjor, i ngjan një gjyqi të njëanshëm me pasoja frikësimi, denigrimi publik e dekurajimi profesional për anëtaret e organeve të pavarura, gjyqtaret dhe prokuroret në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka reaguar edhe ndaj aludimeve nga anëtarët e Komisionit për Administratë Publike për anshmëri të Këshillit në rastin e zyrtarit N.K, duke thënë se pretendimet e tilla nuk qëndrojnë.
“Etiketimi i anëtarëve të Këshillit, për gjoja anshmëri në vendosje lidhur me rastin e N.K është edhe i pabazë edhe i papranueshëm, e as pretendimet e deklaruara nga disa anëtarë të këtij Komisioni nuk qëndrojnë.”
Dje me gjashtë vota pro dhe katër vota kundër nga anëtarët e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal është miratuar inicimi i shkarkimit të të gjithë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës./Gazeta Sinjali/