Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka reaguar ndaj gjuhës nënçmuese nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të sapoemëruar për Komunitete dhe të Kthyer, Nenad Rashiq, dhe bashkëpunëtoreve të tij të komunitetit serb që nuk pajtohen me politikën e Serbisë.
Këshilli tha se po ndjek me shqetësim të madh deklaratat e tilla që kujtojnë fjalorin e urrejtjes dhe luftë nxitës të regjimit të Millosheviqit ndaj shqiptarëve, dëmtojnë përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe rrjedhimisht edhe paqen e sigurinë në rajon.
“KASH mbështet veprimet e Qeverisë së Kosovës për stabilizimin e situatës dhe përkushtimin e saj për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, me ndihmë të Bashkimit Evropian dhe përkrahje të SHBA-ve”, thuhet në reagim.
“KASH i bënë thirrje faktorit ndërkombëtar perëndimor që të shtojë përpjekjet për arritjen sa më të shpejtë të normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe të mos tolerojë veprimet destabilizuese të Vuçiqit, i cili tanimë e bëri të qartë se nuk ka hequr dorë nga orientimi pro-rus, me emërimin në krye të shërbimit për inteligjencë të Serbisë (BIA) të shovinistit dhe anti-shqiptarit famëkeq Aleksandër Vulin”.