image Këshilli Gjyqësor me listë të shërbimeve esenciale pas vendimit për ulje të pagave  

Drejtësi

Këshilli Gjyqësor me listë të shërbimeve esenciale pas vendimit për ulje të pagave  

news image

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka përcaktuar listën e shërbimeve esenciale që do të kryhen nga gjykatat nga sot deri më 8 dhjetor 2022 dhe kjo pasi një ditë më parë Qeveria e Kosovës shfuqizoi vendimin e ish-Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët në vitin 2017.

Lista esenciale e shërbimeve të vendosura nga KGJK përfshin:

Të procedohen dhe mbahen seancat lidhur me masat për sigurinë e të pandehurve në procedurë, shqyrtimet për rastet me paraburgim dhe rastet që kanë të bëjnë me të pandehurit me çrregullimet mendore

Trajtimi i kërkesave për sekuestrim dhe masat e përkohshme

Ekzekutimi i vendimeve penale

Çështjet e dhunës në familje

Çështjet e sigurimit të kërkesë-padisë

Përmbarimi i vendimeve për raste e dorëzimit të fëmijës, realizimit të kontaktit dhe alimentacionit si dhe rastet e tjera në çfarëdo procedure kur është në pyetje interesi i fëmijës

Procedura për dërgimin e personave në rehabilitim dhe të gjitha shërbimet administrative.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e saj të fundit, ka shfuqizuar vendimin e ish-Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët në vitin 2017.

Kryeministri Albin Kurti theksoi se pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm para datës së hyrjes në fuqi të vendimit për ngritjen e pagave të kabinetit qeveritar, rrjedhimisht edhe këtyre institucioneve të drejtësisë.

“Kushti i paraparë për përjashtim të këtij Ligji është plotësuar me nxjerrjen e aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese me Ligjin e atëhershëm për Paga, rrjedhimisht për të sjellë ligjshmëri plotësojmë këtë vendim duke shfuqizuar nenet relevante”, ka thënë Kurti.

/GazetaSinjali/