Sot, në moshën 52-vjeçare ka vdekur gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prizren, Bashkim Beshi.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës njofton se i ndjeri ka ndërruar jetë pas një sëmundje të shkurtër, shkruan Gazeta Sinjali.
Për vdekjen e gjyqtarit, KGJK ka dërguar një telegram ngushëllimi.
Ky është shkrimi i plotë pa ndërhyrje:
Telegram ngushëllimi i Kryesuesit të KGjK, Skender Çoçaj, drejtuar familjes Beshi, me rastin e vdekjes së gjyqtarit z.Bashkim Beshi, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prizren
E nderuara familje Beshi,
Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për vdekjen e familjarit Tuaj dhe kolegut tonë të nderuar, gjyqtarit, z.Bashikim Beshi.
Në këto momente kaq të vështira, më lejoni që në emrin tim personal dhe të Këshillit Gjyqësor i Kosovës t’ju shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për Ju si familje, të afërmit, miqve, kolegëve e bashkëpunëtoreve të gjyqtarit Beshi.
Ndarja nga jeta e z.Beshi, humbja e tij e parakohshme nga një sëmundje e rëndë, nuk është humbje vetëm për familjen Tuaj, por edhe për tërë sistemin e drejtësisë në vendin tonë Gjyqtari Beshi, ishte shembull i urtësisë i ndershmërisë dhe profesionalizmit, ku shërbeu me dinjitet dhe përkushtim të lartë në institucionin e vendit të tij.
Ngushëllime familjes dhe kolegëve të sistemit të drejtësisë!
I lehtë i qoftë dheu dhe i përjetshëm qoftë kujtimi për të!