image Kërkohet ulje e pagave për sektorin publik, për t'u paguar punëtorët e sektorit privat

Financa

Ekonomi/ Kërkohet ulje e pagave për sektorin publik, për t’u paguar punëtorët e sektorit privat

news image

Komuniteti i bizneset dhe odat ekonomike po kërkojnë nga qeveria në detyrë alokimin e së paku 300 milionë eurove për fazën emergjente të mbështetjes së sektorit privat, pas situatës së krijuar nga përhapja e koronavirusit.

Përveç kësaj, njohës të ekonomisë po kërkojnë nga qeveria t’i ulin pagat për punonjësit e sektorit publik, duke mbështetur kështu edhe punonjësit e sektorit privat, që nuk janë aktiv rreth 80 për qind e tyre që prej shfaqjes së Covid-19.

Po ashtu, edhe Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, po kërkon ulje të pagave për 50% për periudhë për dy muaj për punëtorët e sektorit publik dhe barazimi i tyre me punëtorët e sektorit privat, pasi që të parët janë në pushim të detyrueshëm e të dytët po punojnë.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës dhe të Ministrisë së Financave nuk janë përgjigjur pyetjeve të KosovaPress lidhur me këto kërkesa të sektorit privat.

Mirëpo, sipas kryetarit të OEK, Berat Rukiqi, Ministria e Financave do të propozojë 41 milionë euro për paga, 12 milionë euro për qiratë për dy muaj dhe 20 milionë për likuiditet të kompanive. Por, sipas Rukiqit, ky fond është për fazën emergjente dhe do të insistojnë që të alokohen edhe mjete shtesë.

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, thekson pse kërkesat e komunitetit të biznesit për një fond emergjent prej 300 milionë euro janë reale për të mbështetur sektorin privat.

Krahas saj, ai thotë se fondi emergjent për të mbështetur sektorin privat të paktën të jetë për dy ose tre muaj për një pagë 80% nga paga e fundit e evidentuar në ATK.

“Mua më gëzon fakti që sektori publik dhe administrata do t’i merr pagat, mirëpo duhet të mendohet edh e për sektorin privat. Vet fakti që kemi më tepër se 320 mijë të punësuar, të cilët e presin këtë fund muaj me xhepa të zbrazët, është brenga më e madhe, e cila duhet të analizohet, edhe në dimensionin social edhe human, por mbi të gjitha në dimensionin ekonomik. Nuk mund të ketë rimëkëmbje ekonomike në qoftë se nuk ka konsum dhe nuk mund të ketë rritje të konsumit në Kosovë në qoftë se sektori privat paralizohet në mungesë të pagave. Prandaj, në këtë drejtim besoj që është koha kur duhet të analizohet modaliteti i uljes së pagave në sektorin publik, aty ku ka mundësi dhe të krijohet një fond emergjent i cili do të jetë infuzion për sektorin privat”, thotë Gërxhaliu.

Sipas Gërxhaliut, nëse nuk ka ndonjë mbështetje me fond emergjent për sektorin privat, do të bie konsumi në Kosovë, do të humben vende të reja të punës dhe do të ndërpritet zhvillimi ekonomik.

“Unë besoj që një kërkesë e tillë, është reale dhe duhet të realizohet, sepse në qoftë se nuk do të kemi një realizim të një koncepti të tillë, atëherë do të bie konsumi në Kosovë, do të humben vende të reja të punës, do të ndërpritet zhvillimi ekonomik dhe në këtë mënyrë do të përfitojnë shumë më tepër ata që nuk ia dëshirojnë të mirën Kosovës. Çka i duhet Kosovës furnizimi me mallra në këtë situatë emergjente në qoftë se nuk ka fuqi blerëse?”, shprehet ai.

Kurse, qeveritë e vendeve të rajonit, si në Shqipëri dhe Maqedoni kanë marrë masa për mbështetjen të bizneseve dhe kanë ulur pagat për disa sektor publik.

Kreu i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ndër të tjera ka shkruar se është situatë e rënduar e pa qartë dhe e pa barabartë me të tjerët në ketë kohë për punëtorët e sektorit privat.

“Me përjashtim të punëtoreve shëndetësor kjo kategori është në frontin e dytë të përballimit të situatës së krijuar nga pandemia e korona virusit. Sidomos punëtorët teknik që po mirëmbajnë të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare, QKUK, dhe shumë qendra tjera që tani janë vendosur njerëzit të mbahen ne karantinë. Kjo kategori punëtorësh e papërfillur, e pa përkrahur nga askush këtyre punëtorëve edhe sot ju mungojnë pajisjet elementare për mbrojtjen e shëndetit, pra s’ka mbrojtje Institucionale. Këta punëtor përveçse mund të infektohen vetë, këta mund ta infektojnë edhe të gjithë familjen e tyre dhe me gjer dhe si shpërblim për punën e bërë marrin 200 apo 250 euro të cilat shpesh i marrin dhe me vonesa me muaj të tërë, por në te njëjtën situatë janë edhe punëtorët e sigurimit fizik, mos të flasim edhe për atë kategori punëtoresh që punojnë ne kompani të mëdha të ushqimeve që me të vërtet mund të themi këta punëtor janë heronj të paqes ne gjendje të jashtëzakonshme në shërbim të popullatës sonë. Javën e kaluar po edhe në ketë javë vizituam shumë kompani dhe patëm takime me shumë punëtor , qa u vërejt se shumë kompani kanë filluar tu lëshojnë vendime”, kështu ka shkruar sot Azemi.

Ndërsa, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dje pati shkruar se bizneset kanë rënë për toke, dhe plan të mirë ende jo.

“Që nesër fillojmë planifikimin për intervenimin ekonomik në Prishtinë. Jam i gatshëm të punojë me gjithsecilin pa marr parasysh përkatësinë politike. Jam i gatshëm të kontribuojmë në çfarëdo beteje të nivelit qendror me pandeminë”, ka shkruar Ahmeti gjatë ditës së djeshme.

Kryetari Ahmeti edhe pse është kontaktuar nga KosovaPress, ai nuk gjeti kohë për t’u prononcuar lidhur me planifikimin e tij për intervenim ekonomik në Prishtinë./Gazeta Sinjali/