Organizatat e shoqërisë civile kanë kërkuar nga kryetari i Komunës së Prizrenit, shkarkimin e tre drejtorëve komunal ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës.
Sipas një njoftimi dërguar mediave, Prokuroria Themelore në Prizren me datë 3 dhjetor 2019 ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër tre drejtorëve komunalë dhe dy personave tjerë për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2, pika 2.6 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Marrë parasysh mungesën e vullnetit individual të tre drejtorëve komunalë të cilët kanë aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren për të reflektuar në dhënien e dorëheqjes nga pozita e drejtorit të drejtorisë komunale, Organizatat e poshtëshënuara të Shoqërisë Civile, kërkojnë nga kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka ndërmarrjen e veprimeve konkrete në shkarkimin e vartësve të tij ose kërkimin e dorëheqjes së tyre.
“Organizatat e Shoqërisë Civile kujtojnë se premtimet elektorale të kryetarit Haskuka ishin në vendosjen e standardeve për rastet e tilla dhe ruajtjen e kredibilitetit institucional. Pasi që në rastin e drejtorit të drejtorisë për ekonomi dhe financa është zbatuar praktika e dorëheqjes, kërkojmë që edhe në këtë rast tre drejtorët komunalë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare të dorëhiqen ose të shkarkohen nga postet e tyre deri në vendimin e Gjykatës”, thuhet në njoftim.
Organizatat e poshtëshënuara të Shoqërisë Civile konsiderojnë se ndërmarrja e veprimeve konkrete për dorëheqje ose shkarkim të udhëheqësve të drejtorive komunale në rastet e ngritjes së aktakuzave, do të tregonte vullnetin e sinqertë në përmbushjen e premtimeve për rritjen e standardeve dhe ndryshimin e praktikave për të siguruar institucione me kredibilitet.
“Në të kundërtën, vazhdimi i punës në ushtrimin e funksioneve të larta publike të zyrtarëve që kanë të ngritura aktakuza për keqpërdorim të detyrës zyrtarë, do të ulë besimin e qytetarëve në institucionet lokale dhe do të shërbejë si një praktikë jo e mirë në arsyetimin e veprimeve pranë organeve të drejtësisë”, thuhet në njoftim.