image Kërkohet që Albin Kurti të shpallet non grata në Maqedoni të Veriut

Politikë

Kërkohet që Albin Kurti të shpallet non grata në Maqedoni të Veriut

news image

“Grusht shteti kulturor” e ka cilësuar organizata “Diaspora e Bashkuar Maqedonase” vizitën e të premtes në Shkup të kryeministrit Kurti dhe aktivitetet e tij të organizuara në bashkëpunim me opozitën shqiptare në Maqedoni të Veriut.

Sipas diasporës maqedonase, Kurti dhe opozita shqiptare shpallën të premten fitoren e popullit shqiptar në të gjitha trojet e ish-Jugosllavisë.

“Fitoren e ka paralajmëruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në mes të Shkupit ia ka ndryshuar emrin rrugës “Brigada e Dytë Maqedonase’ në ‘Adem Demaçi’. Me këtë lëvizje dhe pushtimin e brigadës që çliroi dhe veproi pothuajse në të gjitha frontet në rajonin qendror dhe lindor të Maqedonisë si dhe në Frontin e Sremskit, Serbi, Kroaci dhe Slloveni, ballistët shqiptarë krijuan një fitore kulturore në qendër të Maqedonisë, në Shkup. Diaspora e Bashkuar Maqedonase e dënon këtë akt si kërcënim për kulturën, kombin dhe një grusht shteti ku një kryeministër i huaj shpall fitoren në mungesë të një lideri politik maqedonas (mikpritës)”, thuhet në reagimin e DBM-së.

Diaspora e Bashkuar Maqedonase i kërkon Qeverisë që ta shpallë si person të padëshiruar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“DBM kërkon nga Qeveria e Maqedonisë që t’i shkruajë një letër proteste Kosovës, ta shpallë Albin Kurtin person non grata, të flasë hapur dhe seriozisht me bllokun shqiptar për këtë akt totalisht jo shtetëror, duke i kthyer të gjitha pikat e referimit, emrat e rrugëve, korrigjimin e të gjithë flamujve shqiptarë. në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë dhe duke vepruar në pajtim me ligjet”, thuhet në reagimin e tyre.

/GazetaSinjali/