Mbrëmjen e së shtunës, A.S. 38 vjeç dyshohet se i ka goditur me mjete të forta dy vëllezërit e tij, duke e lënë pa vetëdije njërin prej tyre. I dyshuari është arrestuar dhe tani Prokuroria e Prizrenit ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij.
Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë së Prizrenit, Fitore Mehmeti.
Në një përgjigje me shkrim, Mehmeti tha se i dyshuari ngarkohet me veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Lëndimi i rëndë trupor”, “Sulmi”, “Lëndimi i lehtë trupor”, dhe “Kanosja”.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, pranë Gjykatës Themelore në Prizren me datë 13.02.2022 ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin me iniciale A.S., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti është përfshirë në kryerjen e veprave penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” neni 366, “Lëndimi i rëndë trupor” neni 186, “Sulmi” neni 184, “Lëndimi i lehtë trupor” neni 185, dhe “Kanosja” neni 181 sipas KPRK-së”, thuhet në përgjigje.
Pasi u lajmërua rasti në Polici, i dyshuari u arrestua dhe u dërgua në mbajtje për 48 orë, ndërsa njëra nga viktimat ka pranuar tretman mjekësor.
38-vjeçari ka pranuar se posedon armë, andaj Policia ka sekuestruar një kallash dhe dy karikator me një fishek. /GazetaSinjali/