Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve Z.P. dhe B.T., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ dhe ‘’Mashtrimi me subvencione’’.
Në kërkesën e tyre thuhet se Z.P për 8 vjet me radhë ka tejkaluar kompetencat e tij në mënyrë që të përfitojë për vete dhe të pandehurin B.T.
“Të pandehurit B.T., ia mundësoi përfitimin e kundërligjshëm të subvencioneve që nga viti 2012 deri në vitin 2019 nga 150 euro për hektar për çdo vit, ndërsa, në vitin 2020 shumën prej 900 euro, edhe pse i njëjti nuk i ka plotësuar kushtet dhe kriteret për fitimin e subvencioneve për të mbjellat me grurë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit.
Në këtë mënyrë dyshohet se i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, të KPRK-së.
Ndërsa, i pandehuri B.T., në cilësinë e fermerit, ka aplikuar për marrjen e subvencionit, duke paraqitur të dhëna të pasakta dhe jo të plota, ku në mënyrë të paligjshme pa përfituar nga subvencionet.
Me këto veprime dyshohet se i pandehuri B.T., ka kryer veprën penale ‘’Mashtrimi me subvencione’’, të KPRK-së.
Të pandehurit me urdhër të prokurorit gjenden në ndalim 48 orësh.