image Kërkohet paraburgim për biznesmenin prizrenas që dyshohet për fajde

Drejtësi

Kërkohet paraburgim për biznesmenin prizrenas që dyshohet për fajde

news image

Prokuroria Themelore në Prizren ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj Lirim Thaqit, i cili u arrestua nën dyshimet për fajde gjatë aksionit të djeshëm të Hetimeve Rajonale të Policisë, raporton Gazeta Sinjali.

Zëdhënësja e Prokurorisë në Prizren, Fitore Mehmeti, ka bërë të ditur për Sinjalin se është parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

“Lidhur me rastin të cilit i referoheni, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren- Departamenti i Krimeve të Rënda, ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, kundër L.Th., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Fajdeja” nga neni 331 dhe “Detyrimi” nga neni  328, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, tha Mehmeti për Sinjalin.

Ndryshe burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se Lirim Thaqi, 39-vjeçar, është pronar i një biznesi që funksionon si autoservis ‘Cani’.

Gjatë bastisjes në banesën e tij dhe punëtorinë, Policia ka sekuestruar dokumente e telefona, që do shfrytëzohen si dëshmi në procedurë.

Arrestimi i tij erdhi pas hetimeve me masa të fshehta të vëzhgimit, që mundësuan identifikimin e të dyshuarit dhe mbledhjen e informacioneve për veprën për të cilën po dyshohet.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/