Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar të dyshuarin Arsim Gashin, në kohëzgjatje prej 48 orëve, pasi dyshohet të ketë kryer veprat penale ‘’Ndërprerja e palejuar e shtatzënisë’’ dhe ‘’Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Ndaj gjinekologut Gashi, sot nga prokurori i rastit është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, nga Gjykata e Shkallës së Parë në Gjilan.
“Ekziston dyshimi i bazuar se, i dyshuari A.G., më 15 shkurt 2020, në cilësinë e mjekut gjinekolog, në ordinancën e tij në Prishtinë, në kundërshtim me ligjin për ndërprerjen e shtatzënisë, pa pëlqimin e të dëmtuarës së mitur, nën moshën 14 vjeçare dhe pa pëlqimin e prindit apo kujdestarit, ka ndërprerë shtatzëninë e të miturës, duke e dëmtuar rëndë shëndetin e saj”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.
Gjithashtu, Gashi me rastin e kontrollimit mjekësor gjinekologjik të të miturës, nuk e ka lajmëruar veprën penale të dhunimit.
Po ashtu, për këtë rast sipas kërkesës së prokurorisë dy persona gjenden nën masën e paraburgimit, pasi dyshohen se kanë dhunuar të miturën nën moshën 14 vjeçare, e cila më pas edhe ka abortuar./Gazeta Sinjali/