image Kërkohet hetim për skandalin e diplomave

Kosovë

Kërkohet hetim për skandalin e diplomave

news image

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA),  ka shprehur shqetësimin për situatën e krijuar së fundmi,  ku del se mijëra diploma të lëshuara nga institucione të ndryshme të arsimit të lartë, nuk janë në përputhje me ligjet në fuqi.

Përmes një reagimi për media, ORCA thotë se sheh kryerje të veprave penale nga ana e institucioneve të arsimit të lartë të cilat, sipas kësaj organizate, me shumë gjasë i kanë mashtruar studentët duke marrë para nga ta, ndërkohë që nuk i kanë dorëzuar regjistrat e të dhënave të tyre në MASHT, siç parashihet me legjislacionin në fuqi. Kësisoj, mijëra diploma të lëshuara nga këto institucione nuk kanë bazë për t’u njohur në Kosovë apo jashtë saj, thekson Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim.

“Mosdorëzimi i regjistrave në afatet e parapara ligjore mund të duket si një formalitet i parëndësishëm, por në fakt është pjesa që konfirmon vërtetësinë e kohëzgjatjes së studimeve, programeve të ndjekura dhe çështjeve të tjera me rëndësi për dëshmimin e ndjekjes së studimeve”, thuhet në reagimin e ORCA-s.

Në këtë situatë, ORCA i bën thirrje organeve të hetuesisë që të veprojnë me shpejtësi në identifikimin e shkelësve dhe nxjerrjen e tyre para drejtësisë.

Ndërkohë ORCA i bën thirrje studentëve viktima të këtij mashtrimi t’i drejtohen organeve të hetuesisë apo gjyqësisë, duke ushtruar padi dhe kallëzime penale për institucionet që i kanë mashtruar.

Nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë kërkohet të që ta informojë publikun se për cilat institucione bëhet fjalë dhe që në përputhje me ligjin dhe kompetencat,  t’ua tërheq licencat të gjitha institucioneve të përfshira në këtë mashtrim.  Po ashtu, përfshirja e mundshme e zyrtarëve të MASHT-it duhet të adresohet nga vet ministria te organet e hetuesisë”, përfundon reagimin Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim.