Pas kërkesës së ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, për rritjen e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë për këtë vit akademik, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka vendosur që gjeneratës së sivjetme të këtij fakulteti t’i shtohen edhe 27 studentë, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas rektoratit të UP-së, ky vendim është marrë për plotësimin e kuotave të rezervuara për komunitetin jo shumicë dhe për kandidatë nga viset e tjera jashtë Kosovës, të banuara më shqiptarë, sipas konkurseve të të gjitha niveleve të studimit për pranim në vitin akademik 2020/21.
“Konkretisht, nga numri i përgjithshëm i paraparë në Konkurs, në Fakultetin e Mjekësisë janë 27 vende të lira, të cilat do të plotësohen sipas depozitave të parapara në këtë vendim”, thuhet në përgjigjen e këtij universiteti për Gazetën Sinjali.
Sipas këtij vendimi, i cili mban datën 13 nëntor 2020, plotësimi i këtyre vendeve do të bëhet me kandidatë nga programet/profilet e njëjta studimore në të cilat kanë aplikuar për pranim në këtë vit akademik, gjithnjë duke respektuar listën prioritare të kandidatëve të pa pranuar për shkak të plotësimit të vendeve të parapara në kategorinë e caktuar sipas konkursit.
Rritjen e numrit të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, ministri Zemaj, tha se e konsideron interes nacional.
Sipas tij, kjo gjë mundëson rritjen e shërbimeve shëndetësore adekuate dhe profesionale, zëvendësimin e profesionistëve shëndetësor të moshuar dhe pensionuar, plotësimin e boshllëkut të krijuar nga ikja e profesionistëve nga vendi, mundësimin e zhvillimit dhe qëndrimit të tyre në vend, përmes krijimit të kushteve të bërë tanimë nga MSh me dhënien e specializimeve për të gjithë profesionistët./Gazeta Sinjali/