Përfitimi i kundërligjshëm i dobisë pasurore duke përdor forcën apo kanosjen serioze për t’u kryej një veprim përbën vepër penale dhe sanksionohet me burgim. Për një rast të tillë ka nisur hetimet Prokuroria Themelore në Prishtinë, pas denoncimit të një qytetari, i cili është kërcënuar me vrasje, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit nga Prokuroria kanë bërë me dije se ky rast ka të bëjë me një marrëveshje në lidhje me disa dokumente kadastrale dhe shuma e cika po iu kërkohet viktimës është 100 mijë euro.
Por cilat janë detajet dhe si u përfshi viktima në këtë rast?
Sipas informacioneve që posedon Sinjali, viktima (emër i njohur për redaksinë) ka qenë pjesëmarrës në një takim, ku disa persona kishin arritur marrëveshje për përkthimin e një parceleje në fshatin Mazgi, në muajin shkurt të vitit 2021.
Njëri ndër personat që kishin bashkë me viktimën, ishte njëra palë që është marrë vesh me të dyshuarin, si dhe një garantues. Ata kishin arritur marrëveshje gojarisht, pa e dokumentuar se përkthimi i kësaj parcele duhej të kryhej në afat jo më shumë se 5 muaj.
Gjatë kësaj periudhe ka vdekur pronari legjitim dhe për pasojë marrëveshja nuk është zbatuar, çka i ka shtyrë disa anëtarë të familjes Raqi që ta përcjellin viktimën, i cili kishte qenë prezent kur ishte lidhur marrëveshja.
Ndonëse ende nuk dihet nëse viktima ka pasur lidhje direkte apo indirekte me rastin, ai e ka denoncuar rastin dhe ka kërkuar mbrojtje nga Policia, pasi dyshohet se dikush nga familja Raqi po e përcjellin në vazhdimësi.
Pasi Prokurori i Shtetit është vënë në dijeni për rastin ka dhënë urdhër që të nisin hetimet, të sigurohet prezenca e personave të apostrofuar nga pala ankuese, në mënyrë që të zbardhen rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja.
Sinjali ka kontaktuar edhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë për të marrë një informacion zyrtar, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.
Sinjali do t’iu mbajë të informuar.