Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar dy raste të kanosjes ndaj personit zyrtar dhe në të dyja rastet viktima të kërcënimit kanë qenë zyrtarët policorë, raporton Gazeta Sinjali.
Rasti i parë, sipas njoftimit të policisë, ka ndodhur në rrugën “Wesley Clark” në Prizren.
Mëngjesin e së martës, policia ka arrestuar një person atje, i cli dyshohet se për shkak të një tikete për kundërvajtje në trafik, e ka kanosur me fjalë një zyrtar policor.
I dyshuari është intervistuar dhe më pas, me urdhër të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, rasti i dytë i kanosjes ndaj personit zyrtar është raportuar në fshatin Bob të Kaçanikut.
Atje, rreth orës 16:10, Policia e Kosovës e ka arrestuar një person, i cili dyshohet se pasi që i është shqiptuar një gjobë për kundërvajtje, ka kanosur dy zyrtarë policorë.
Ndryshe nga rasti i parë, i arrestuari në Kaçanik është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje./Gazeta Sinjali/