Pas denoncimit publik të zëvendës kryeministrit të Kosovës Besnik Bislimi se është kërcënuar e fyer nga ish-ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur me hetimet, mëson Gazeta Sinjali.
“Konfirmojmë se kanë nisur hetimet lidhur dyshimet për kërcënim të zv. kryeministrit Bislimi nga deputeti Tahiri”, thanë nga PThP.
Të rikujtojmë se zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi ka dalë në foltoren e Kuvendit të Kosovës dhe tha se ish-ministri i Drejtësisë dhe shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri e ka sharë dhe fyer pasi iu ndal mikrofoni.
“Deputeti Abelard Tahiri nxori një sërë akuzash për ministren Haxhiu, ndërkaq pasi u mbyll mikrofoni në stilin e një banditi që i vendos shurdhuesin armës së tij u kthye kah unë dhe shprehu një sërë kërcënimesh, të cilat pastaj i shoqëroi me sharje dhe fyerje nga ulësja e tij. Do të ishte mirë që Prokuroria të merret me këtë rast”, tha Bislimi.
Po ashtu edhe ministri i Financave Hekuran Murati para deputetëve të Kuvendit ka theksuar se edhe ai ishte dëshmitarë ku Abelart Tahiri e shajti dhe e kërcënoi zv. kryeministrin Besnik Bislimin.
“Mund ta konfirmoi atë që e tha zv. kryeministri Bislimi. Pas mbylljes së mikrofonit, Abelard Tahiri e shajti dhe e kërcënoi zv. kryeministrin Bensik Bislimin. Nuk ishte vetëm gjuhë jo parlamentare, por shajtje dhe kërcënim”, tha Murati.
Ministri e ka ftuar Prokurorinë që ta marrë shumë seriozisht kërcënimin.