Prokuroria Themelore në Prizren ka ngitur aktakuzë ndaj dy gjeodetëve me inicialet B.S dhe L.R, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”
Sipas aktakuzës, i akuzuari B.S. në cilësinë e personit zyrtar – gjeodet i licencuar, duke shfrytëzuar detyrën e ka bërë ndarjen e parcelave pa lejen e njërit pronar për vëllezërit e tij P.Gj., Gj.Gj., dhe M.Gj., nga fshati Karashëngjergj – Komuna e Prizrenit, duke shkelur të drejtat e personit tjetër bashkëpronarit Gj.Gj.
“Ndërsa, e akuzuara L.R., me datë 12.02.2018 në Prizren, në kohë të pacaktuar në cilësinë e personit zyrtar- gjeodete në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar tejkalon kompetencat e saj ashtu që me qëllim shkel të drejtat e personit tjetër Gj.Gj., duke vepruar në kundërshtim me rregullat ligjore të Agjencionit Kadastral të Kosovës. E njëjta, si gjeodete në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër bënë regjistrimin me ndryshime të pronës së bashkëpronarit Gj.Gj., në Kadastral-Map në kundërshtim me rregullat ligjore, ashtu që edhe pse lënda nuk ishte e kompletuar meqë mungonte dokumenti i identifikimit si dhe kërkesa dhe i autorizuari i bashkëpronarit Gj.Gj., pa pëlqimin e tij bënë ndarjen e parcelave me aktvendim të datës 12.02.2018”, thuhet në njoftimin për media.
Me këto veprime, të akuzuarit B.S., dhe L.R., kanë përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit./GazetaSinjali/