“Nuk ka asgjë shqetësuese dhe nuk po ndodhë asgjë e jashtëzakonshme”.
Ky është reagimi shqetësues dhe i jashtëzakonshëm i Korporatës Energjetike të Kosovës për tymin vdekjeprurës që po del nga termocentrali i KEK-ut, “Kosova A” në Obiliq, shkruan Sinjali.
KEK-u thotë se tymi i zi që po shihen në termocentrale është si rezultat i kthimit në prodhim të blloqeve pas remonteve kapitale.
Sipas kësaj korporate, kjo duhet të ndodhë patjetër në mënyrë që, siç thonë, nga shtatori të ketë kapacitet për prodhimin e energjisë elektrike gjatë dimrit.
“Gjatë fazës së startimit të njësisë gjeneruese situatë e tillë (tym më I theksuar) është e pashmangshme. Pavarësisht kësaj, ne mbesim me shpresë që do të kemi mirëkuptimin e gjithë qytetarëve sepse kjo është forma e vetme e cila na mundëson që qytetarëve të vendit të ju ofrojmë stabilitet energjetik edhe gjatë sezonit dimëror”, thuhet mes tjerash në reagimin e KEK-ut.
Para dy ditësh, për ndotjen e lartë të ajrit ka alarmuar edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.
Kosova kryeson në Evropë për vdekjet që janë pasojë e ndotjes së ajrit. /Sinjali