image Kazakistan: Zyrtarëve të sigurisë iu jepet urdhër për të shtëna pa paralajmërim

Botë

Kazakistan: Zyrtarëve të sigurisë iu jepet urdhër për të shtëna pa paralajmërim

news image

Presidenti i Kazakistanit, Qasym-Zhomart Toqaev, ka thënë më 7 janar se ka lëshuar urdhër për zyrtarët e zbatimit të ligjit për të shtëna me armë zjarri pa dhënë paralajmërim, ndërkohë që shteti po përballet me protesta të paprecedentë.

Protestat kanë shpërthyer pesë ditë më parë, për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë.

Duke folur në një adresim televiziv, Toqaev ka thënë se i ka dhënë urdhër personelit të sigurisë për të shtëna me armë zjarri pa paralajmërim, me qëllim të parandalimit të përshkallëzimit të mëtejmë të situatës.

Sipas tij, ata që refuzojnë të dorëzohen, do të “shkatërrohen”.

Toqaev ka thënë se rregulli kushtetues është kthyer në këtë shtet të Azisë Qendrore, pas disa ditëve të trazirave të dhunshme, për të cilat Qeveria ka fajësuar “terroristët”.

“Rregulli kushtetues në thelb është rikthyer në të gjitha rajonet e shtetit. Autoritetet lokale e kanë nën kontroll situatën”, ka thënë Toqaev, gjatë një takimi për sigurinë më 7 janar, njofton zyra e tij.

“Terroristët vazhdojnë të përdorin armë dhe t’i dëmtojnë pronat e qytetarëve. Prandaj, veprimet kundër terrorizmit duhet të vazhdohen derisa të ketë shkatërrim të plotë të militantëve”, ka shtuar ai.

Protestues dhe policë të vrarë

Ministria e Brendshme ka thënë përmes një tjetër deklarate se 26 “kriminelë të armatosur” janë vrarë dhe më shumë se 3,000 të tjerë janë ndaluar.

Në njoftim është thënë se 18 zyrtarë policorë dhe trupa të gardës kombëtare janë vrarë prej nisjes së protestave.

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se prej shpërthimit të protestave këtë javë, më shumë se 1,000 persona janë plagosur dhe 400 janë shtruar në spital.

Prej tyre, 62 janë në kujdes intensiv.

Përgjatë javës, protestuesit kanë hyrë nëpër ndërtesa qeveritare, u kanë vënë zjarrin disa prej tyre dhe kanë plaçkitur biznese.

Dhuna më e madhe është raportuar në qytetin më të madh të shtetit, Almati.

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë në Almati, kanë thënë se forcat e sigurisë, disa edhe me pajisje të armatosura, kanë shtënë me armë zjarri ndaj protestuesve më 6 janar.

Gjatë natës ka pasur raportime për shpërthime dhe të shtëna me armë.

Sipas Shërbimit Kazak të Radios Evropa e Lirë, një numër i paidentifikuar i njerëzve është vrarë.

Si pasojë e përshkallëzimit të situatës, Toqaev i ka kërkuar Organizatës së Traktatit për Siguri Kolektive (CSTO)– që të ndihmojë në “stabilizimin” e situatës.

CSTO, me bazë në Moskë, përbën një aleancë ushtarake të disa shteteve të ish-Bashkimit Sovjetik.

Trupat e para ruse kanë arritur shumë shpejt në Kazakistan më 6 janar.

Më shumë trupa ruse do të arrijnë më 7 janar nga Armenia dhe Taxhikistani, derisa edhe Kirgizia mund të dërgojë trupa nëse kërkesa miratohet nga Parlamenti.

Autoritetet është raportuar se kanë bllokuar internetin dhe kanë përkeqësuar sinjalet telefonike.

Mediave, po ashtu, u është kufizuar raportimi.

Në disa pamje që kanë depërtuar jashtë shtetit janë parë makina të djegura dhe ndërtesa të dëmtuara.

Pse shpërthyen protestat?

Vala e protestave ka shpërthyer në rajonin perëndimor, Mangystau katër ditë më parë për shkak të rritjes së papritur të çmimit të gazit të lëngshëm, i cili përdoret për makina në shtetin e pasur me naftë.

Shumë shpejt, protestat janë përhapur edhe në qytete e qyteza tjera nëpër Kazakistan, duke përfshirë edhe pakënaqësi tjera.

Presidenti Toqaev ka fajësuar bandat “terroriste” të trajnuara nga jashtë për dhunën e raportuar.

Ai ka shkarkuar Qeverinë më 5 janar dhe ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, pasi mijëra protestues kundër udhëheqësisë janë përleshur me policinë dhe kanë hyrë në ndërtesa qeveritare.

Protestuesit e zemëruar, disa prej të cilëve kanë pasur shkopinj gome dhe mburoja, kanë nisur zjarr në zyrën e kryetarit të qytetit Almati më 5 janar.

“CSTO me mision të shkurtër”

Në këtë qytet, protestuesit kanë marrë edhe kontrollin e aeroportit dhe për pasojë janë pezulluar përkohësisht të gjitha fluturimet.

Shpejtësia e angazhimit të CSTO-s në Kazakistan, është parë nga disa analistë si shenjë e strategjisë së Kremlinit për të vepruar shpejt edhe për të mbrojtur ndikimin e tij në këtë vend të ish-Bashkimit Sovjetik.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Aleksandr Grushko, është cituar të ketë thënë se trupat paqeruajtëse “janë angazhuar për Kazakistanin dhe janë duke bërë atë që bëjnë aleatët”.

Sekretari i Përgjithshëm i CSTO-s, Stanislav Zas, ka thënë për agjencinë e lajmeve RIA, se numri i forcave paqeruajtëse që do të dërgohet në Kazakistan do të jetë 2,500 dhe më pas numri mund të shtohet sipas nevojës.

Megjithatë, Zas ka thënë se pret mision të shkurtër për vetëm “disa ditë apo javë”.

Ai ka thënë se qëllimi dërgimit të trupave të Organizatës është mbrojtja “e një shteti të rëndësishëm dhe ndërtesave strategjike”, si dhe për të zbatuar ligjin dhe rregullin.

Ai ka shtuar se trupat e Organizatës nuk do të përdoren për t’i shpërndarë protestuesit.

“Trupat paqeruajtëse të CSTO-s kanë nisur të arrijnë në Kazakistan për të ndihmuar në kthim të rregullit. Trupat kanë ardhur për periudhë të caktuar për të siguruar objektet strategjike”, ka thënë zyra e Toqaevit.

Borrell: Të garantohen të drejtat e civilëve

Këto zhvillime të shpejta në shtetin e pasur me naftë, kanë rritur shqetësimet në botë.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se është duke monitoruar raportimet për angazhim të trupave nga jashtë dhe ka ngritur pyetje nëse ata janë ftuar në mënyrë legjitime në Kazakistan.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka bërë thirrje për zgjidhje paqësore të trazirave, derisa shefi i diplomacisë në Bashkimin Evropian, Josep Borrell, ka shprehur ‘shqetësime të thella” për situatën, duke insistuar se duhet të mbrohen të drejtat e civilëve dhe ka dhënë paralajmërime për përfshirjen e huaj ushtarake.

“Të drejtat e civilëve duhet të garantohen. Ndihma e jashtme ushtarake sjell kujtime të situatave që duhen shmangur”, ka shkruar Borrell në një postim në Twitter./GazetaSinjali/