Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë konfirmoi sot edhe tetë raste të reja me Covid-19, duke ngritur totalin në 79. Katër raste janë në Studime të Vushtrrisë, tre nga Prishtina dhe një me vendbanim në Llugagji të Pejës.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka thënë përmes telefonit se nuk ka vend për panik.
“Nuk shoh vend për panik në Vushtrri, por duhet të kemi kujdes. Të gjitha masat e qeverisë dhe të shtabit emergjent jemi duke i zbatuar andaj shpresoj të kemi sukses në fund, të gjithë së bashku”, ka thënë Tahiri.
Për rastin që dje ka dalë pozitiv nga kjo komunë, Tahiri ka thënë se është kontakt i pacientit së parë, dhe se të njëjtit pacient nuk i janë marrë mostrat më datë 19 pasi nuk ka pasur shenja.
Ai ka theksuar se nuk po drejton akuza ndaj Institutit, apo institucioneve të tjera, veçse ka treguar se pacie ntit i janë marrë dje mostrat, dhe dje ka rezultuar pozitiv.
“Rastin është dërguar më datë 19 në Klinikën Infektive, por nuk i janë marrë mostrat meqë nuk ka pasur shenja. Pastaj, më datë 25 i janë bërë analizat dhe ka dalë pozitiv. Mostrat për analiza mund të jenë të kufizuara. Nuk po e akuzoj Institutin e Shëndetit Publik ose ndonjë institucion tjetër, të gjithë jemi bashkë në këtë betejë. Të gjithë duhet të jemi vigjilentë”, ka thënë ai.
Ai tha se janë në kontakt me familjet dhe do të ofrojnë mbështetje për të gjithë qytetarët brenda kompetencave që kanë si komunë.
Numri i të prekurve me Covid-19 në Kosovë ka arritur në 79, ndërkohë që ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar sot se zyrtarisht është shënuar rasti i parë i shëruar në Kosovë.
“Më në fund e kemi lajmin e mirë. Njëri nga pacientët edhe pas testimit të dytë ka dalë negativ. Sipas rekomandimeve të OBSH-së, kur kemi dy mostra negative të një personi me një ditë distancë kohore, tregojnë shërimin nga Covid-19. Zyrtarisht kemi personin e parë të shëruar nga Covid-19 në Kosovë”, tha Vitia.