Po vazhdojnë reshjet e dendura të borës për tash e disa orë në shumë vende të Republikës së Kosovës. Krerët e disa komunave kanë deklaruar se rrugët në qytetet e tyre janë të kalueshme pas pastrimit nga kompanitë përkatëse. Megjithatë, përveç komunikacionit, problem tjetër për qytetarët gjatë këtyre orëve po është edhe mungesa me energji elektrike si pasojë e dëmeve nga reshjet, raporton Gazeta Sinjali.
Në katër komuna si Ferizaj, Prishtinë, Mitrovicë e Prizren janë dëmtuar shtyllat elektrike, të cilat kanë bërë që shumë shtëpi të mesin pa shërbim energjetik.
Për këtë, KEDS ka dalë me njoftim ku bën të ditur se janë dëmtuar edhe disa përçues elektrikë, teksa shtojnë se ekipet e tyre janë në terren dhe po punojnë që ta kthejnë në normalitet gjendjen me furnizim më rrymë.
“Për shkak të borës që filloi të bie sot herët në mëngjes, e shoqëruar me erëra, janë shkaktuar disa dëme në asetet tona, kryesisht në shtylla dhe në përçues elektrikë. Distriktet më të prekura janë Ferizaj, Prishtina, Mitrovica dhe Prizreni”.
“Ekipet e KEDS-it gjenden në terren dhe po punojnë pandërprerë në mënyrë që ta kthejnë në normalitet gjendjen me furnizim me energji elektrike. KEDS kërkon mirëkuptim nga konsumatorët dhe i siguron që në një afat sa më optimal do të rikthehet furnizimi i rregullt me energji elektrike”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.