image Katari i dhuron Tiranës 8 kamionë me ndihma

Tërmeti/ Katari i dhuron Tiranës 8 kamionë me ndihma

news image

Pas mbylljes së fazës emergjente në pjesën urbane të Tiranës, krybashkiaku, Erion Veliaj së bashku me ambasadorin e  Katarit në Shqipëri, Ali bin Hamad Al-Marri morën pjesë në dorëzimin e ndihmave në magazinat e rezervave të emergjencave të Tiranës.

Kreu i Tiranës bëri të ditur se familjet e prekura nga tërmeti në qytet kanë nisur sistemimin në shtëpi me qira, ndërsa paralelisht po punohet për të lehtësuar kushtet edhe për familjet e prekura nga tërmeti që jetojnë në zonat rurale.

“Këtë fundjavë, popullsia urbane nuk do të ketë më nevojë që të qëndrojë nëpër palestra, nëpër mensa sociale apo nëpër qendra të ndryshme të emergjencave. Secili ka marrë bonusin e qirasë dhe është akomoduar diku në qytetin e Tiranës, një pjesë të madhe kemi pasur mundësi edhe t’i vizitojmë. Tani që pjesa urbane e ka mbyllur fazën e emergjencës, do ta mbyllim fazën e emergjencës edhe në pjesën rurale”, tha ai.

Veliaj theksoi se shumë shpejt do të kalojë faza e emergjencës edhe në zonat rurale, ku do të dërgohen ndihma për të kaluar këtë dimër.

 “Do të shkojmë me ndihmën, duke përfshirë përveç çadrës, edhe sobë ngrohëse për të kaluar dimrin, krevatë, dyshekë dhe batanije, për t’u siguruar që janë të mjaftueshme në secilën prej njësive tona në fshat. Nëse këtë fundjavë e konsiderojmë emergjencën të mbyllur në Tiranën urbane, duam që brenda javës tjetër ta mbyllim në Tiranën rurale, qe të fokusohemi te rindërtimi, rindërtimi, rindërtimi. Jam i bindur e miqtë tanë nga Katari do të jenë aty për të na ndihmuar me rindërtimin”, nënvizoi i pari i Tiranës.

Duke vlerësuar bashkëpunimin mes dy popujve, ambasadori i Katarit në Shqipëri, Ali Bin Hamad Al-Mari premtoi se mbështetja nga shteti i tij do të vijojë edhe në ditët në vijim.

“Edhe njëherë ngushëllojmë qeverinë dhe popullin mik shqiptar dhe ju urojmë shërim të shpejtë të plagosurve nga tërmeti. Fondi i Katarit për Zhvillim në koordinim me Qendrën e Katarit për bamirësi, kanë direktiva të prera që nga dita e parë që të shpërndahen në çdo zonë të prekur nga ky tërmet dhe të jenë prezent. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe me funksionarë duke përfshirë dhe kryetarin, dhe të shikojmë se për çfarë kanë nevojë. Ne nuk do të ndalojmë. Ka akoma ndihma të tjera që do të vijnë më tutje. Dua t’ju siguroj kryetar që shteti i Katarit ka qenë dhe do të jetë pranë jush në çdo moment”, tha ambasadori Ali Bin Hamad Al-Mari./Gazeta Sinjali/