Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka njoftuar sot për shpalljen e gjendjes emergjente në këtë komunë pas vërshimeve të fundit, shkruan Gazeta Sinjali.
Ai tha se kjo shpallje e gjendjes emergjente ka qenë e nevojshme, pasi dëmet e shkaktuara nga reshjet kanë qenë shumë të mëdha.
“Edhe pse në Kamenicë, ka pasë më pak reshje se në zonat e tjera, prap dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha. Nuk mbahet mend për dekada që ka pasë kaq shumë dëme të shkaktuar nga reshjet e shiut”, tha ai.
Kastrati po ashtu deklaroi se mbi 7 ura janë të dëmtuara, disa prej tyre fare nuk mund të riparohen as të shfrytëzohen.
“Sa kemi arritur të shohim, në krahasim me vendet e tjera, në Kamenicë më shumë është dëmtuar infrastruktura publike. Mbi 7 ura janë të dëmtuara, disa prej tyre fare nuk mund të riparohen as të shfrytëzohen”.
Ai shtoi se sfidat më të mëdha janë qasja, lëvizja, energjia elektrike, uji i pijshëm, por sipas tij, ekipet janë në terren dhe po bëjnë një punë të madhe.
“Sfidat më të mëdha janë qasja, lëvizja, energjia elektrike, uji i pijshëm, por janë ekipet në terren të cilët janë duke bërë punë të madhe. Shfrytëzoj rastin që të kërkoj ndihmë edhe nga qeveria e Kosovës, pasi nuk mund të ia dalim vet, pasi buxheti i komunës është i vogël, duke e pasë parasysh se çfarë dëme janë shkaktuar”, tha Kastrati ndër të tjera në Klan Kosova.