Drejtori i përgjithshëm të RTK-së, Ngadhnjim Kastrati, i ka reaguar ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili tha se në RTK ka të punësuar mbi 100 persona që marrin rrogë më të madhe se të ministrit.
Kastrati ka thënë se kjo deklaratë është e pavërtetë dhe është përpjekje për të sulmuar politikisht RTK-në, shkruan Gazeta Sinjali.
“Është absolutisht e pavërtetë se në RTK janë 100 punëtorë me paga më të larta se të ministrave. Këtë e di shumë mirë edhe ministri Murati. Buxheti për pagat mbetet po ai i njëjti i para tri viteve dhe si Kryetar i Komisionit paraprak i Financave, ministri Murati është i njohur me këtë fakt. Përpjekjet për ta sulmuar politikisht RTK-në nëpërmjet manipulimit me të vërtetat faktike është veprim i ulët, por i pakalueshëm”, shkroi ndër të tjera ai.
Postim i plotë:
Është absolutisht e pavërtetë se në RTK janë 100 punëtorë me paga më të larta se të ministrave. Këtë e di shumë mirë edhe Ministri Murati. Buxheti për pagat mbetet po ai i njëjti i para tri viteve dhe si Kryetar i Komisionit paraprak i Financave, Ministri Murati është i njohur me këtë fakt.
Përpjekjet për ta sulmuar politikisht RTK-në nëpërmjet manipulimit me të vërtetat faktike është veprim i ulët, por i pakalueshëm.
Vetë fakti se uljen e buxhetit për RTK-në mundohen ta argumentojnë me të dhëna të fabrikuara dëshmon se ky vendim është absolutisht i paarsyeshëm dhe i paarsyetuar.
Kujtojmë se buxheti i RTK-së është më i ulëti krahasuar me mediumet publike në rajon. Shkurtimi i mëtutjeshëm i këtij buxheti zbulon hapur tendencën politike për ta degraduar mediumin publik, në vend se të synohej zhvillimi i tij, si një resurs i domosdoshëm publik./GazetaSinjali/