Kardiologu Gani Bajraktari ka thënë se mjekët nga Kosova nuk po ikin për para, por më shumë dinjitet. Ai thotë se në Kosovë mjekët nuk i mbron shteti, derisa në perëndim mbrohen dhe janë më të sigurt.
“Ikja e mjekëve është trend evropian, nuk do ta akuzoja kurrkënd për të, por ata shkojnë për një jetë më të mirë. Natyrisht në qoftë se shteti ka qasje më korrekte ndaj tyre, të vlerësimit korrekt të punës së tyre dhe të qasjes së ndershme ndaj tyre, kjo ikje do të ishte më e vogël. Do të thotë, ikja e tyre në shumicën e rasteve nuk është për shkak të një page të ulët, për të cilën bisedohet shumë, por kryesisht për shkak të punës më të dinjitetshme dhe më të sigurt në Perëndim, sepse atje i mbron ligji, i mbron shteti. Ndërsa te ne nuk janë shumë të mbrojtur. Pagat e mjekëve kanë qenë skandaloze, tash janë relativisht të kënaqshme, por jo të mira, sepse përsëri në rajon dhe vendet tjera nuk janë paga që taman ia japin hakun një mjeku, por megjithatë krahasuar me ato që kanë qenë skandaloze muaj më parë, janë të kënaqshme” ka deklaruar Bajraktari në emisionin “Personale” në RTV Dukagjini.
Ai thotë se mjekët në Kosovë bartin përgjegjësi të madhe derisa sipas tij nuk respektohen sa duhet për këtë punë.
“Vetëm mbrëmë unë kam qenë kujdestar në QKUK dhe kam stentuar pesë pacientë me infarkt akut dhe në momentin që i kam lënë kanë gëzuar shëndet të mirë. Pra pesë pacientë brenda natës, është punë me përgjegjësi jashtëzakonisht të lartë”.
Duke folur për situatën e shëndetësisë në Kosovë, Bajraktari që është edhe profesor universitar thotë se buxheti në këtë sektor është shumë i rëndësishëm por jo më i rëndësishmi.
“Faktori material [buxheti] në shëndetësi zë vendin e tretë apo katërt. Problemi kryesorë është menaxhimi dhe vendimet e mëdha. Arben Vitia është njeri i mirë dhe ndershëm, por nuk e di nëse do të jetë në gjendje të marrë vendime të mëdha”.
Bajraktari thotë se me përshkrimin e punës ministri i Shëndetësisë duhet të merret vetëm me menaxhimin e situatës, por sipas tij për të pasur rezultate ai duhet t’i tejkalojë kompetencat.
“Ministri duhet të zbresë vetë më QKUK dhe të qëndrojnë një ditë në ndonjë klinikë dhe të presë vet problemin me gërshërë”, ka deklaruar tutje Bajraktari.