image "Karantinohet” Ministria e Shëndetësisë, nuk i publikojnë vendimet që deklarojnë se i morën për Zveçanin e Mitrovicën e Veriut

Kosovë

“Karantinohet” Ministria e Shëndetësisë, nuk i publikojnë vendimet që deklarojnë se i morën për Zveçanin e Mitrovicën e Veriut

news image

Përkundër se çdo vendim i marrë nga Qeveria Kurti publikohet në uebfaqet zyrtare dhe në media, një vendim i rëndësishëm po vazhdon të mbahet në ‘karantinë’.

Pas raportimit të Gazetës Sinjali për vendosjen e Zveçanit dhe Mitrovicës Veriore në karantinë për shkak të rrezikut të përhapjes së koronavirusit, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, doli në një konferencë për media, ku deklaroi se vendimi për të karantinuar këto dy komuna të Republikës së Kosovës u mor nga ministria që ai udhëheq.

Megjithatë, vendimi në fjalë, nuk është publikuar akoma në faqen e MSH-së.

Për mospublikimin e këtij vendimi u pyet mbrëmë edhe U.d ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla.

Sikurse edhe shefi i tij Albin Kurti, Sveçla tha se këtë gjë nuk kanë dashur ta bëjnë me tupan.

“Vendimet me vete i kam, nuk e kemi parë fare të arsyeshme që ne të marrim me tupan këto vendime…Ne kemi marrë një numër të madh të vendimeve si të qeverisë si të Ministrisë së Shëndetësisë por edhe vendime të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, tha Sveçla mbrëmë në Interaktiv, transmeton Gazeta Sinjali.

Duke iu përgjigjur gazetarit, Sveçla i prezanton nga larg dy dokumente, për të cilat thotë se janë vendimet për karantinimin e Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut. Megjithatë, dokumentet nuk vërehen nga syri i publikut pasi nuk fokusohen qartë nga distanca.

“Ky vendim është vendimi për komunën e Zvecanit dhe vendimi për komunë e Mitrovicës Veriore ska asgjë diskutabile lidhur me këto vendime e as për vendimet e tjera…”, shprehet Sveçla.

Pas deklaratës së U.d., së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Gazeta Sinjali, bazuar në ligjin për qasjen në dokumentet zyrtare, ka tentuar të marrë një kopje të vendimit në fjalë, por i njëjti nuk është përgjigjur në telefon dhe nuk e ka kthyer as SMS-në. Ndërsa, zv.ministri i kësaj minitrie Bajram Gecaj, ka thënë se nuk e posedon vendimin.

“Duhet t’i drejtoheni kabinetit të ministrit”, ka rekomanduar Gecaj.

Ashtu sikur Sveçla ka vepruar edhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ndërsa, zëvendësi i Vitisë, Izet Sadiku, i pyetur nga Gazeta Sinjali se në cilën datë është marrë vendimi për vendosjen në karantinë të Mitrovicës Veriore dhe Zveçanit tha se ‘nuk e di datën përmendësh’.

Datën për marrjen e këtij vendimit nuk e ka treguar as zëdhënësi i MSH-së, Faik Hoti, përveçse ka kërkuar që vendimi t’i kërkohet përmes imellës, bazuar në ligjin për qasje në dokumente zyrtare.

Për publikun nuk dihet arsyeja se pse ky vendim po mbahet në ‘karantinë’, kur MSH deklaron se i njëjti është marrë në koordinim me autoritetet lokale.

Gazeta Sinjali disponon informacion se vendimi nuk është arkivuar e as protokolluar sipas procedurës standarde, ndaj kjo mund të jetë një nga arsyet se pse nuk është publikuar dhe po mbahet edhe më tutje në ‘karantinë’./Gazeta Sinjali/