Kryesuesit të Kuvendit të Kosovës, jo rrallë i bije t’i thërras për në seancë deputetët, pasi që ata shpesh lirojnë seancën e shkojnë në bufe.
Por, mbase me shumë arsye. Kjo meqë, ata për shpenzimet ditore, ku përfshihen pijet e ushqimi, marrin nga 5 euro në ditë pune, që nga 2011.
Për këtë kishte vendosur Kryesia e Kuvendit, që përbëhej nga shefi, Jakup Krasniqi, e anëtarët Xhavit Haliti, Glauk Konjufca, Sabri Hamiti, Etem Arifi e Petar Miletiç.
Në anën tjetër, në bufe, çmimet i kanë të volitshme, krahasuar me ato të tregut.
Një kafe espresso, që rëndom kushton 50-70 cent, për deputetët, në Kuvend kushton 30 cent. Po kaq është edhe çaji filtër, që në një lokal tjetër shitet deri në 1 euro.
E makiato e madhe, për ta është 40 cent, ndonëse qytetarët paguajnë nga 1 euro.
Veç nga 20 cent u kushton kafe kapuqino e qumsht me çokollatë apo bambi.
E nëse është i uritur ndonjëri ligjvënës, me 40 cent, mund ta paguaj një supë viçi, e nëse nuk ia ka ënda këtë, mundet veç me 30 cent me pagu një supë pule.
Pas supës, shkon sallata 200 gramshe, ku deputetit i kushton 50 cent.
200 gramë djath-kaçkavall i kushton 40 cent.
E pjata kryesore, me 300 gram mishi në hell, kushton 1 euro e gjysmë. Kurse deputetët vegjetarian, mund të marrin 300 gram shpageta apo makarona për vetëm 80 cent.
E arsyet pse janë çmimet më të lira në bufen e Kuvendit, për Klanin e ka dhënë ekonomisti Remzi Smajli.
“Shërbimet më të lira në restorantet e institucioneve publike janë nga fakti se: Në ofertat e tyre në procedurë prokurimi kanë ofruar çmime më të ulëta. Kanë klient konstantë gjatë tërë kohës. Shpenzime më të ulëta, sidomos në energji dhe qira”.
Klani, ka kuptuar që marrja e shërbimeve të bufesë, bëhet me tender, dhe ofertuesi më i lirë e fiton atë.
Por, e njëjta është mbyllur përkohësisht në fund të vitit 2021, pasi pati ankesa edhe për shërbim të ujit, të prodhuar nga Serbia.