image Kaq janë rritur çmimet në Kosovë sivjet, Agjencia e Statistikave publikon të dhënat

Kaq janë rritur çmimet në Kosovë sivjet, Agjencia e Statistikave publikon të dhënat

news image

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka bërë të ditur se indeksi i çmimeve të konsumit është më i lartë për 7,5% në muajin shkurt, në krahasim me muajin shkurt 2021.

Ndërkohë, indeksi i çmimeve të konsumit është më i lartë për 1,1% në muajin shkurt të këtij viti, në krahasim me muajin janar.

Sipas ASK-së, ngritja e çmimeve është vërejtur tek produktet si buka dhe drithërat, mishi, qumështi, djathi, vezët, vaji, pemët, perimet etj.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 7.5 për qind në muajin shkurt 2022, krahasuar me muajin shkurt 2021. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (15.7%); mish (8.6%); qumësht, djathë dhe vezë (11.1%); vajra dhe yndyra ushqimore (32.1%); perime (13.8%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (11.3%); prodhime të ndryshme ushqimore, salca, erëza, kripë, ushqim për fëmijë etj. (6.5%); kafe, çaj dhe kakao (12.5%); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (3.9%); duhan (4.7%); mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit (4.1%); energji elektrike (12.3%)”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Edhe dallimet në çmime ndërmjet muajit shkurt dhe janar të këtij viti janë vërejtur tek të njëjtat produkte.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1.1% në muajin shkurt 2022, krahasuar me muajin janar 2022. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (0.8%); mish (0.8%); qumësht, djathë dhe vezë (2.0%); vajra dhe yndyra ushqimore (1.0%); pemë (1.5%); perime (9.6%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (1.4%); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (1.0%); veshje (0.7%); pajisje shtëpiake (1.4%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (5.5%); shërbime hoteliere (0.6%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.1 për qind në IHÇK”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Ditëve të fundit, ka pasur rritje të madhe të çmimeve të disa prej produkteve kryesore në Kosovë.

/GazetaSinjali/