image Kapja e gjyqësorit nga politika promovohet nga vetë ministri Abelard Tahiri

Kosovë

Politizim/ Kapja e gjyqësorit nga politika promovohet nga vetë ministri Abelard Tahiri

news image

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri po e dëshmon vetë në vepër sesi i ka nën kontroll prokurorinë dhe gjykatat e Kosovës.

Në përpjekje për t`i bërë reklamë punës së tij, ai po shpërfaq ndikimin dhe ndërhyrjen politike në sistemin gjyqësor.

Përmes një spoti publicitar për fushatën zgjedhore, në cilësinë e përfaqësuesit politik të Qeverisë, Tahiri ka bërë të ditur se janë konfiskuar vetura në kuadër të luftës kundër korrupsionit, çështje kjo që nuk i takon fare punës së ministrit e aq më pak ta konsideroj këtë si të arritur të tij, shkruan Gazeta Sinjali.

Konfiskimi i veturave është rezultat i punës së prokurorisë dhe gjykatave, të cilat do të duhej të ishin të pavarura nga politika. Rezultati eventual në drejtim të konfiskimit të veturave do të ishte sukses i prokurorisë dhe gjykatave në luftën e tyre kundër krimit. Përveç kësaj, ministri ka bërë edhe një huqje, pasi veturat të cilat i proklamon, janë të sekuestruara për një periudhë të përkohshme dhe se ato mund të lirohen me vendime të Gjykatave, shkruan Gazeta Sinjali.

Por ndryshe nga funksionimi normal dhe i pavarur i gjyqësorit, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri me këtë spot shpërfaq patronalizmin politik mbi gjyqësorin, i cili në bazë të kushtetutës është pushtet i ndarë dhe i pavarur.

Ministria e Drejtësisë e udhëhequr nga Abelard Tahiri, do të mbahet mend për ndikimin e saj politik në drejtësi dhe dështimin në sigurinë e burgjeve. Viteve të fundit në Kosovë është rritur numri i vetëvrasjeve dhe arratisjeve nga burgje. /Gazeta Sinjali/