Futbollisti i njohur argjentinas David Abraham nuk do të mundë të luajë më këtë vit për Frankfurtin, pasi u pezullua me shtatë javë mos lojë, për shkak se e kishte shtyrë dhe rrëzuar trajnerin e Freiburgut, Christian Streich.
Abraham u ndëshkua me karton të kuq pasi e shtyu me krah Streichen, derisa u përpoq ta marrë një top që kishte dalë jashtë vijës së lojës në një ndeshje të Bundesligës këtë të shtunë.
Federata e Futbollit e Gjermanisë, e ka pezulluar mbrojtësin deri më 29 dhjetor, që nënkupton se ai nuk ka të drejtë të luajë në gjashtë ndeshjet e ardhshme.
Abraham nuk do të mundë të luajë deri në ndeshjen e Freiburgut kundër Hoffenheim më 18 janar, pas pushimit dimëror në Bundesligë.