image Kapiteni i Arbërisë flet pas inkuadrimit në Superligë: Ëndrra për të synuar titullin duhet të jetë reale

Futboll

Kapiteni i Arbërisë flet pas inkuadrimit në Superligë: Ëndrra për të synuar titullin duhet të jetë reale

news image

Klubi futbollistik Arbëria nga Dobraja e Lipjanit ka arritur që për herë të parë në histori të klubit të jetë pjesë e Superligës së Kosovës.

E për suksesin që arriti kjo skuadër për Sinjalin Sportiv foli kapiteni i skuadrës Kreshnik Bahtiri.

Bahtiri tha se gjenerata e tij e po ashtu edhe gjenerata të mëhershme e kanë pasur ëndërr këtë sukses që kjo skuadër ka arritur.

“Ne si KF Arbëria kemi ëndrruar të prekim Superligën, jo vetëm ne si gjeneratë por dhe gjeneratat e më hershme e kemi ëndrru këtë ditë. Kemi punuar shumë për këtë ëndërr dhe ja sot ne e kemi realizuar ku plot të tjerë nuk kanë besuar dhe se për ta ka qenë krejtësisht e pamundur”, tha futbollisti.

Kreshnik Bahtiri po ashtu tha që financat dhe menaxhimi i mirë ndikojnë që pengesat në rrugëtimin e kësaj skuadre të jenë më të lehta.

“Çdo klub kur ka financat dhe menaxhimin e mirë, besoj që pengesat janë më të lehta për të arritur synimet e klubit. Dhe ne duke falenderuar donatorët si Jahir Krasniqi dhe Rrahim Krasniqi, Komunën e Lipjanit dhe shumë të tjerë që nuk na lanë vetem në rrugëtimin tonë, ne ja dolem!”

Kapiteni i Arbërisë po ashtu shprehi falënderimin e tij për kryesinë e klubit dhe të tjerët që kanë ndihmuar në rrugëtimin e tyre e po ashtu e cilësoi si historik këtë sukses për klubin.

“Duke falenderuar Kryesinë, Shtabin Teknik dhe Bashkëlojtarët ne punuam shumë dhe ishim orientuar vetëm te synimi i cili ishte inkuadrimi në Superligën e Kosovës. Ja dolem, historike për klubin ky sukses si dhe historik dhe për ne si pjesë e klubit me traditë futbolli sepse të gjithe e njohin këtë klub ngase ka dhënë shumë për futbollin dhe se duke synuar në përparimin e futbollit ky klub ja ka arritur të luaj lojën fair-play dhe të krijojë kulturën e një klubi me tipare të profesionalizmit”.

Kurse për garat në Superligë sipas Kreshnikut duhet punë më e madhe por çdo gjë mund të arrihet.

“Tani në Superligë duhet punë më e madhe. Skuadrat i njohim të gjithë, ato janë me përvojë të këtij rangu dhe ne duhet të punojm shumë. Mendoj se kur klubi ka financa ëndrra për të synuar titullin duhet të jetë reale dhe të punohet për këtë ëndërr. Shembulli më i mirë është Ballkani. Klub me financa dhe tani po synon të fitojë titullin e kampionit. Për ne kur financat janë të mira dhe mandej krijohet skuadra me staf dhe me trajner të përsosur çdo gjë mund të arrihet”.

Kreshnik Bahtiri foli edhe për ndikimin e pandemisë në skuadrën e Arbërisë, ku tregoi se ka ndikuar mjaftë shumë pasi që janë detyruar të kryejnë stërvitjet në mënyrë individuale.

“Pandemia mendojë se ka ndikuar shumë. Për ne si lojtar ka ndikuar sepse kur je me afër trajnerve dhe shokëve për të punuar në grupe, krijohet atmosfera dhe krijohet serioziteti i punës. Kemi punuar individualisht në bazë të programeve të trajnerve por kur je afër tyre puna është më e madhe dhe për ne si lojtar na bënë më të fortë”.

/Gazeta Sinjali/