image Kapet sërish kokainë në banane në Durrës

Shqipëri

Kapet sërish kokainë në banane në Durrës

news image

Policia e Shtetit në Shqipëri për të gjashtën herë me radhë ka gjetur kokainë në ngarkesat me banane të kompanisë “Alba Exotic Fruit”, transmeton Gazeta Sinjali.

Sipas policisë si rezultat i një kontrolli të imtësishëm, në pjesën fundore, te kapakët e motorëve frigoriferikë të dy kontejnerëve u gjet dhe u sekuestrua një sasi prej 10 kilogramë e 185 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.

“Në vijim të operacionit “Rada”, mesditën e sotme, nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit, është ushtruar kontroll i imtësishëm në dy nga kontejnerët e ngarkuar me banane, që kishin ardhur nga Ekuadori, për llogari të kësaj firme. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në pjesën fundore, te kapakët e motorëve frigoriferikë të dy kontejnerëve u gjet dhe u sekuestrua një sasi prej 10 kilogramë e 185 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë”, citohet nga deklarata e policisë.

Kjo sasi narkotike u kap në kuadër të operacionit “Rada”, i nisur më datë 13 korrik të këtij viti në Portin e Durrësit.

Hera e fundit kur në kontejnerët e kësaj kompanie u gjet drogë ishte në 7 shtator, me rreth 8 kilogramë. Ndërkohë më herët, në 13 korrik në Portin e Durrësit iu u sekuestruan 12 kilogramë kokainë, ndërsa më 23 korrik u gjetën 7 kilogramë të tjera.

Nuk do të kalonte shumë dhe sërish në një interval prej një jave më 29 korrik 2021 kompanisë iu gjetën dhe u sekuestruan 7 kilogramë kokainë po në vijim të operacionit “Rada”.

Kompania “Alba Exotic Fruit” rezulton e përmendur edhe më parë në trafikun e kokainës ku në vitin 2019, në kontejnerët e saj, në Pire të Greqisë u gjetën 137 kg kokainë që u zëvendësua me oriz me GPS nga DEA amerikane.

Për trafikun e drogave të forta në 2019 u arrestuan Altin Myslihaka dhe Ardian Begaj ndërsa u shpall në kërkim Gentian Malindi. /Gazeta Sinjali/