image Kapen në flagrancë dy të rinj në Prizren: Dilleri po e shiste drogën për 10 euro tek i dyshuari

Siguri

Kapen në flagrancë dy të rinj në Prizren: Dilleri po e shiste drogën për 10 euro tek i dyshuari

news image

Shitblerja dhe konsumimi i drogës është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet e Kosovës dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar shëndetin e tyre. Një rast i tillë është zbuluar edhe mbrëmë në rrugën ‘Indrit Cara’ në Prizren, ku dy të rinj janë kapur në flagrancë, njëri duke shitur e tjetri duke blerë drogë, raporton Gazeta Sinjali.

Njësitë policore kanë kapur dy të dyshuarit duke shkëmbyer substanca narkotike të llojit marihuanë dhe si rrjedhojë të dy janë arrestuar.

Sinjali mëson se dilleri 24-vjeçar dyshohet se ka shitur marihuanën te 26-vjeçari për 10 euro. Për shkak të dyshimeve për ushtrimin e veprimtarisë së shitblerjes së substancave narkotike, Policia në koordinim me Prokurorinë dhe me urdhër të Gjykatës kanë kryer bastisje në shtëpinë e 24-vjeçarit.

Sipas burimeve gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë të ndara në disa pako, peshore, para të gatshme dhe telefona.

Ndërkohë të dyshuarit janë shoqëruar në stacion ku janë intervistuar nga hetuesit policorë dhe ndaj tyre është iniciuar rasti për veprat ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’ dhe ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari për shitjen e marihuanës të ndalohet për 48 orë, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

/GazetaSinjali/