image Kandidaturat për Oskarët e futbollit, Messi favorit

Futboll

Kandidaturat për Oskarët e futbollit, Messi favorit

news image

Janë publikuar nominimet për “Laureus World Sports Awards, të konsideruar ndryshe Oskarët e sportit për rëndësinë që kanë duke evidentuar protagonistët më të mirë në kategori të ndryshme dhe që do të jepen në muajin prill.

Emrat e kandidatëve të seleksionuar nga votat e mbi 1 400 gazetarëve sportivë nga e gjithë bota, prej të cilëve do të dalin edhe fituesit që do të përzgjidhen nga Laureus “World Sports Academy”, një juri e përbërë nga 71 legjenda të sportit, janë natyrisht të bujshëm.

Për çmimin “Laureus World Sportsman of The Year (sportisti i vitit), në garë janë Lionel Messi, i cili është edhe favoriti i madh, Kylian Mbappe, Rafael Nadal, Max Verstappen, Armand Duplantis dhe Steph Curry MVP i Finaleve të NBA.

Nëse Messi është në garë për çmimin sportisti i vitit, Argjentina e tij është kandidate për çmimin “skuadra e vitit”, pas triumfit në Kupën e Botës. Në listën e kandidaturave për këtë çmim janë dhe Reali i Madridit, fitues i Champions League, Kombëtarja angleze e futbollit të femrave, që fitoi Kampionatin Europian, Golden State Warriors, Oracle Red Bull Racing, që fitoi titullin e konstruktorëve në Formula 1, si dhe kombëtarja franceze e rugby për meshkuj, që fitoi turneun Six Nations pas plot 12 vitesh pritjeje.

Në Kategorinë e çmimeve është dhe ai për sportisten e vitit, ku spikasin atletja xhamajkane Shelly-Ann Fraser Pryce, notarja amerikane Katie Ledecky, atletja amerikane Sydney McLaughlin Levrone, futbollistja spanjolle Alexia Putellas, skiatorja amerikane Mikaela Shifrin, si dhe tenistja polake Iga Swiatek.

Për çmimin “zbulimi i vitit” garojnë tenisti spanjoll Carlos Alcaraz, atleti Toby Amusan, patinatori amerikan Nathan Chen, kombëtarja e futbollit të Marokut, tenistja kazake Elena Rybakina apo golfisti amerikan Scottie Shefler.

Një çmim interesant është dhe ai “Rikthimi i vitit”, ku ndër kandidaturat është Francesko Bagnaia, që fitoi titullin në Moto GP, pasi rikuperoi një disavantazh prej plot 91 pikësh sezonin e kaluar, garon pa dyshim Christian Eriksen, me danezin që u rikthye në fushë pasi i trembi të gjithë pas atij kolapsi me Danimarkën, atleti norvegjez Jakob Ingebrigsten, basketbollisti amerikan Klay Thompson, çiklisti Annemiek van Vleuten, si dhe golfisti i njohur amerikan Tiger Woods.

Përveç çmimeve për sportistin e vitit në sportet e aksionit, ku përfshihen SnowBoard, Surf, apo ski freestyle, një çmim i rëndësishëm është edhe ai “Sportit për të mirën e përbashkët”, ku juria do të zgjedhë mes Boxgirls, boksireve të Kenias në mbështetje të grave të reja dhe kundër stereotipeve, High Five, skuadër gjermane e aksionit që ndihmon emigrantët dhe jetimët për t’u integruar në komunitetet e reja, Made For More, nga Afrike e Jugut, skuadër shumësportëshe, që e bën sportin të aksesueshëm për personat me aftësi të kufizuara, si dhe Team Up, një skuadër globale, projekt i mbështetur nga War Child, Unicef dhe Save the Children, që u mundëson fëmijëve refugjatë të lehtësohen nga stresi nëpërmjet aktivitetit fizik./TopChannel/

/GazetaSinjali/