image Kamberi: Serbia nuk është duke vuajtur asnjë pasojë për shkeljen e të drejtave të njeriut
[wp-story id="814678"]

Politikë

Kamberi: Serbia nuk është duke vuajtur asnjë pasojë për shkeljen e të drejtave të njeriut

news image

Deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi është takuar dje me Komisarin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Nacionale, Kairat Abdrakhmanov, shkruan Gazeta Sinjali.

Kamberi në një prononcim për Gazetën Sinjali ka deklaruar se në takimin me Abdrakhamov janë paraqitur shqetësimet e shqiptarëve të cilët jetojnë në Luginë për shkak se shteti serb është duke i shkelur vazhdimisht të drejtat e tyre.

Ai ka deklaruar se pasivizimi i adresave është një nga shkeljet të cilat është duke i bërë Serbia, ngase banorët shqiptar, të cilët po shlyhen nga regjistri civil nuk kanë të drejtë vote dhe nuk kanë të drejta tjera.

Diskriminimi ekonomik është lehtë i dallueshëm, nuk jemi aspak të kënaqur me mënyrën sesi Serbia është duke na trajtuar, ka thënë ai.

 “Pasivizimi i adresave është shqetësim ngase Serbia me këtë politikë po tenton të ndryshojë strukturën etnike në Luginë. Banorëve po u pamundësohet shfrytëzimi i të drejtave civile dhe së bashku me të edhe e drejta e votës. Poashtu i shprehëm shqetësimet tona edhe për diskriminimin ekonomik dhe mosnjohjen e diplomave nga Serbia, e cila po ndikon që të rinjtë të mos munden të gjejnë veten e tyre në këtë rajon. Vizita e Komisarit ishte vizitë e parë pas emërimit në këtë funksion dhe ai i ka dëgjuar shqetësimet tona të cilat besoj se do të përfshihen në raport”, ka thënë Kamberi.

Ai thotë se institucionet ndërkombëtare duhet të ushtrojnë presion ndaj politikës serbe, e cila duhet të ndalojë diskriminim dhe shkeljen e të drejtave të pakicave etnike të cilët jetojnë në Serbi.

Kamberi deklaron se institucionet ndërkombëtare kanë konstatuar se shqiptarët po diskriminohen në baza etnike, por sipas tij këto konstatime nuk po prodhojnë pasoja.  

“Mjerisht këtu është problemi. Jo vetëm raporti i Departamentit të Shtetit Amerikan që konstaton shkelje dhe diskriminim, por e kemi edhe raportin e progresit për Serbinë për vitin 2020, në kuadër të cilit flitet për shkeljen e të drejtave të komuniteteve.

Por, këtu po përfundon gjithçka me një raport, me deklarime e konstatime dhe nuk po shohim aksione konkrete për ta detyruar Serbinë që të përmbush obligimet” ka thënë ai për Sinjalin. /GazetaSinjali/