Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi i ka reaguar kryetarit të Preshevës, Shqiprim Arifi i cili në një përgjigje për CNN ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po përpiqet të jetë Zelensky i Ballkanit, duke shtuar se mënyra më e mirë që të përmirësohet situata është që Kurti të bëjë atë që kërkojnë aleatët perëndimorë: të punojë për të krijuar një “Asociacion të Komunave me shumicë Serbe” në veri të Kosovës.
Kamberi në reagimin e tij tha se me këtë qasje të Arifit kundrejt Kosovës asnjë shqiptar i Luginës së Preshevës nuk pajtohet, teksa e cilësoi si të dhimbshme faktin që kryeministri kosovar u kritikua nga një shqiptar në një prej mediumeve më të mëdha botërore.
“Kritikat e e paargumentuara të të parit të Preshevës harrojnë apo mohojnë faktin se ishte autokrati Vuçiq ai i cili pas takimit të Ohrit deklaroi se “nuk ka nënshkruar se i dhemb dora e djathtë” dhe se kjo do të zgjasë për “katër vitet e ardhshme”. Ai shkon aq larg saqë akuzon kryeministrin e Republikës së Kosovës se nuk po e krijon “asociacionin e komunave me shumicë serbe” pa kërkuar as dhe një kusht të vetëm për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës, me dekada është diskriminuar nga Beogradi.
Është e dhimbshme aq sa edhe e dëmshme që në artikullin më pozitiv të mundshëm për Kosovën, në një prej mediumeve më të mëdha botërore, komenti më negativ për Kryeministrin e Kosovës vjen nga një shqiptar i Luginës së Preshevës. Me këtë qasje të të parit të Preshevës kundrejt Kosovës jam i bindur që asnjë shqiptar i Luginës së Preshevës nuk pajtohet”, thotë Kamberi.