image Kamberi akuzon Beogradin për nxitjen e tensioneve: Një mafi politike e cila po i terrorizon edhe vet serbët atje

Politikë

Kamberi akuzon Beogradin për nxitjen e tensioneve: Një mafi politike e cila po i terrorizon edhe vet serbët atje

news image

Barrikadat e vendosura në Veri të Kosovës po vazhdojnë të mbajnë të bllokuara rrugët në drejtim të kufirit të Jarinjes dhe Bërnjakut. Protesta e serbëve lokal ka hyrë në ditën e 16-të, teksa situata paraqitet e qetë.

Në të dyja anët e rrugëve vihet re prezenca e shtuar e pjesëtarëve të KFOR-it.

Përfaqësuesi i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka akuzuar Beogradin për nxitjen e tensioneve.

“Ajo çfarë po ndodhë në veri të vendit, më mirë se asnjëherë deri më tash po dëshmon ndërhyrjen e Serbisë nga jashtë. Është pozitive në këtë kaos që po bëhet atje, të shihet fakti se përfundimisht ka serbë lokal të cilët po flasin me zë hapur për një ndërhyrje të vrazhdë të Beogradit dhe për një mafi politike, e cila po i terrorizon edhe vet serbët atje. Një mafi politike përmes së cilës po tentohet të destabilizohet Kosova, të destabilizohet rajoni në tërësi”, tha Kamberi. 

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vetmet që mund të heqin kamionët e vendosura dhe të vendosin rendin e sigurisë.

Ndërsa duke komentuar komentet e presidentit Aleksandër Vuçiq që do të kërkojë të kthehen trupat serbe, kamberi tha se është e gjithë pjesë e politikës së brendshme.

“Ai edhe kur e tha kërkesën, edhe kur e shprehu publikisht se Serbia do ta ketë kërkesën për kthimin e personelit të saj, ai e thotë ushtrisë, por në fakt rezoluta 1244 flet për personelin e Serbisë në Kosovë, në fund e tha një fjali ‘se nuk besoj se do të kalojë’. Gjithë këtë kërkesë e ka për agjendën e brendshme, për politikën e brendshme të cilën po e ndërton atje, për të ruajtur pushtetin e vet”, shtoi Kamberi. 

Kryeministri i vendit, Albin Kurti deklaroi se pas Krishtlindjes do të takohet me komandantin e KFOR-it, në lidhje me barrikadat në veri. Ky i fundit ka kërkuar pak kohë për të gjetur një zgjidhje që do të çonte në zhbllokimin e rrugëve.

Serbët lokal në pikat kufitare në veri tash e dy javë kanë vendosur barrikada, për të kundërshtuar arrestimin e ish-zyrtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç./Abcnews.al/ 

/GazetaSinjali/