Avokati i njohur, Dritëro Kollçaku është përballur me një situatë sa të pazakontë aq edhe të kundërligjshme, kur është ftuar për intervistim në cilësinë e të dyshimtit nga prokurorja në Prokurorinë Themelore të Pejës, Sahide Gashi. Me autorizim të saj, Kollçaku është dëgjuar nga zyrtarët në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar në Prishtinë, për ndihmë në veprat penale “Fajde” dhe Detyrim” në rastin e klientit të tij, Asllan Rexhaj.
Sipas ekspertëve të fushës, ky veprim përveçse është i ndaluar me ligj, nuk është zbatuar asnjëherë më parë, në asnjë rast penal. Për ta kundërshtuar këtë veprim, avokati Kollçaku, ka ushtruar kallëzim penal ndaj prokurores Gashi, nën dyshimet se ka keqpërdorur pozitën zyrtare. Por kjo e fundit, në një prononcim për Sinjalin tha se “nuk ka njohuri për kallëzim penal”.
Gazeta Sinjali ka siguruar kallëzimin penal, ku ndër të tjera Kollçaku është arsyetuar për veprimet e kundërligjshme të prokurores dhe ka kërkuar që ndaj saj të nisin procedurat hetimore.
Detajet nga kallëzimi penal i ushtruar kundër prokurores Sahide Gashi
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se me autorizim të prokurores Gashi, avokati Kollçaku, më 8 dhe 9 shtator, me ftesën e zyrtarëve policorë, është intervistuar si i dyshuar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar në Prishtinë, pasi kishte pranuar ftesën paraprakisht më 6 shtator.
Përveç në DHKO, Kollçaku është ftuar edhe nga vet prokurorja Gashi për t’u dëgjuar në cilësinë e të dyshuarit, përkundër faktit se ka qenë në dijeni se i njëjti është mbrojtës i Asllan Rexhajt në procedurën penale që është duke u zhvilluar ndaj tij, për shtatë muaj me radhë.
Në kallëzimin penal që ka siguruar Gazeta Sinjali, intervistimi i Kollçakut si i dyshuar nga prokurorja Gashi, “tejkalon kompetencat dhe autorizimet e veta zyrtare me qellim që t’ia shkelë seriozisht të drejtat thelbësore avokatit”. Prandaj, avokati Kollçaku ka propozuar që ndaj prokurores të fillojë procedura hetimore për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Kjo pasi që sipas dispozitave ligjore të Ligjit për Avokatinë nënkuptohet se avokati mbrojtës sipas autorizimit nuk guxon të dëgjohet në cilësi të dyshuarit për veprimet e veta të cilat i ka bërë tërësisht në kuadër të detyrave dhe kompetencave të cilat ia ka lejuar Ligji mbi Avokatinë.
Tutje, sipas kallëzimit penal të Kollçakut kundër Gashit, thuhet se kjo e fundit me qëllime të caktuara e për t’ia shkelur integritetin si avokat, imazhin dhe të drejtat thelbësore të garantuara me të gjitha dispozitat ligjore, e ka dëgjuar si të dyshuar dhe ka lëshuar autorizim për t’u dëgjuar edhe nga DHKO.
Pretendimet e avokatit Kollçaku se në DHKO nuk është pyetur konkretisht për veprimet e tij në lidhje me dyshimet se ka ndihmuar në kryerjen e veprave penale për të cilat dyshohet klienti i tij, Aslan Rexhaj.
Për dy ditë radhazi, Kollçaku është intervistuar nga në Zyrat e Drejtorisë për hetimin e Krimit të Organizuar. Në kallëzimin penal kundër Gashit, ai thotë se nuk i është bërë asnjë pyetje konkrete që ka të bëjë me ndonjë veprim që ai ka ndërmarrë si përfaqësues i autorizuar i palës Aslan Rexhaj e që kishte të bëjë me ndonjë vërtetim të dyshimit se i njëjti i ka ndihmuar Rexhajt që të kryejë veprat penale të Fajdes dhe Detyrimit.
Në kallëzim penal thuhet se Kollçaku është pyetur për disa kontrata të përpiluara në zyrën e tij, për shoqërimin e klientit, për procedurat e nxjerrjes së një ceritifikateje të pronësisë, të cilat janë përmendur nga prokurorja Gashi si dyshim i bazuar, edhe pse të njëjtat sipas avokatit nuk janë përdorur në asnjë procedurë. Në arsyetimin e tij në kallëzim, Kollçaku ka konsideruar se veprimet e tij për të cilat është pyetur nga ana e zyrtarëve kompetentë në DHKO, i ka marrë në bazë të ligjit.
Avokati Dritëro Kollçaku, i cili vazhdon të jetë mbrojtës i të dyshuarit Aslan Rexhaj, ka kërkuar që si prova materiale të nxirren autorizimi i prokurores për dëgjimin e tij, procesverbali i intervistimit në DHKO, kontrata që është përmendur nga prokurorja dhe dokumente të tjera që lidhen me të, si dhe vërteti që i njëjti nuk ka kryer shkelje disiplinore nga Zyra e Prokurorit Disiplinor të Odës së Avokatëve të Kosovës.
Ndryshe, Gazeta Sinjali ka kontaktuar Gashin për të marrë një prononcim për rastin, por e njëjta fillimisht ka refuzuar të jap deklaratë duke kërkuar që të kontaktohet kryeprokurori.
Por pas disa minutash, ajo ka ka deklaruar se s’ka informacione. Në një mesazh të shkruar thuhet se “Nuk kam njohuri për kallëzim penal, për çfardo pyetje drejtohuni te Kryeprokurori”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.