Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook ka reaguar pas heqjes së masës së reciprocitetit nga Qeveria Hoti ndaj Serbisë.
Kadaj-Bujupi ka thënë se masat e reciprocitetit u hoqën për t’i hapur rrugë një dialogu krejtësisht të paqartë me Serbinë.
Sipas saj, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tash e sa vite “po nguten për ta arritur një marrëveshje fshehurazi nga popujt e tyre nëpër kthinat e Brukselit dhe Uashingtonit”.
“Kryeministri Hoti nuk u dorëzua, ai thjesht po e luan rolin e tij në orkestrën e dirigjuar nga dy presidentët, Thaçi e Vuçiq, të cilët qe sa vite po nguten për ta arritur një marrëveshje fshehurazi nga popujt e tyre nëpër kthinat e Brukselit dhe Uashingtonit”, ka shkruar ndër të tjera deputetja e AAK-së.
Më tej, ajo shton se presidenti Thaçi po e çon vendin drejt një vrime të zezë prej ku Kosova mund të dalë e gjymtuar, duke e imponuar autoritetin e tij mbi kryeministrin Avdullah Hoti./Gazeta Sinjali/