Gjatë ditës së sotme një 56-vjeçar ka ndërruar jetë si pasojë e neglizhencës së mjekëve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan.
Lidhur me këtë ngjarje ka dhënë detaje një dëshmitar, i cili ka bërë të ditur se i ndjeri kishte probleme me zemër dhe kishte pritur rreth gjysmë ore për t’u trajtuar.
Naim Zani, dëshmitar i këtij rasti tregon tmerrin që përjetoi 56-vjeçari që kishte probleme me zemër.
“Ka kërku ndihmë rreth gjysmë ore, askush nuk e ka marrë parasysh. Dhimbje të mëdha ka pasur, vonë ka ardhë një mjek. Sa e kam dëgjuar ka pasur dhimbje të barkut, gjoksit, kishte pasur sulm, urgjent është dashur t’i bëhet një EKG”, tha dëshmitari për T7.
E Zani thotë se doktori nuk ishte aty, pasi që sipas asaj që kishte dëgjuar nga infermierët aty, ai kishte dalë të kryente punët e veta gjatë orarit të punës.
“Sa e kuptova unë, mjeku kryesor i kësaj qendre nuk ka qenë aty, ka qenë duke kryer punë të veta private, çka po e di unë ku. Kjo ka qenë neglizhencë e mjekëve”, tha ai.
E pas afro një ore, një doktor i kishte dhënë ndihmë viktimës. Por as atë nuk e kishte bërë të plotë pasi që sipas tij nuk punonte një pajisje.
Por një gjë e tillë po mohohet nga drejtori i kësaj qendre. Ai thotë se pajisjet punojnë. Agim Krasniqi mohon që aty të ketë munguar ndonjë doktor.