image “Keni me pa masi t’dal n’liri”/ Prishtinasi që po kërkohej nga Gjykata kërcënon policët që e arrestuan

Siguri

“Keni me pa masi t’dal n’liri”/ Prishtinasi që po kërkohej nga Gjykata kërcënon policët që e arrestuan

news image

Personat që kërkohen me urdhëresa të Gjykatave vazhdojnë të bien në prangat e Policisë së Kosovës, pasi kapen në flagrancë në qytete të ndryshme të Kosovës. Por shpesh herë të dyshuarit janë agresivë gjatë arrestimit dhe kërcënojnë zyrtarët policorë, duke ua vështirësuar kështu kryerjen e detyrës zyrtare, raporton Gazeta Sinjali.

Dje pasdite në rrugën ‘Haxhi Zeka’ në Prishtinë, një njësi policore që po patrullonte në atë zonë ka ndalur për kontroll një veturë të cilën po e drejtonte një 34-vjeçar.

Sinjali mëson se gjatë verifikimit, i dyshuari ka rezultuar i kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe i njëjti është arrestuar menjëherë.

Por gjatë arrestimit, 34-vjeçari dyshohet se ka kërcënuar zyrtarët policorë, duke u thënë se do e shohin kush është ai në momentin që do të dal nga burgu. Po ashtu ai ka deklaruar se nëse do e dinte që ndaj tij ka urdhërarrest aktiv, do t’i shmangej Policisë dhe nuk do të ndalej për kontroll.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet në dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.

/GazetaSinjali/