image Jeta e pacientëve në qendrën në Shtime: Deinstitucionalizimi, një hap më afër familjes

Sociale

Jeta e pacientëve në qendrën në Shtime: Deinstitucionalizimi, një hap më afër familjes

news image

Bardhësia e mbulesës mbi tavolinë dhe mureve përreth thyhet nga vizatimet dhe lapsat shumëngjyrësh, të lënë në dhomën e rekreacionit në Qendrën për Integrimin dhe Rehabilitimin e të Sëmurëve Kronikë Psikiatrikë (QIRSKP) nga pacientët e kësaj qendre në Shtime.

Në mesin e vizatimeve të ndodhura aty janë edhe ilustrime të disa shtëpive – shtëpi me kulme në ngjyrë të kuqe, të rrethuara me oborre të gjelbëruara dhe të zbukuruara nga drunj dhe bimë të ndryshme.

“Shumica vizatojnë shtëpi, gjë që të lë ta kuptosh mallin që kanë për familjen”, thotë psikologu i kësaj qendre, Besnik Sadiku.

Ëndrrat për një jetë të zakonshme shtëpiake reflektohen edhe në bisedat që stafi i kësaj qendre bën me pacientët. Donika – emër i vendosur nga redaksia, për ta ruajtur anonimitetin e pacientes – qëndron e qeshur, e ulur në atë tavolinë përkrah katër punëtorëve të kësaj qendre, teksa u tregon atyre për nipat e mbesat e saj.

“E pata bërë një ndryshim, i bëra flokët e bardha, sepse djali i motrës më thoshte se dukem si një këngëtare e famshme”, u thotë Donika punëtorëve të ulur në një tavolinë me të.

Në mesin e personave qe gjenden rreth tavolinës – ku të pranishmit ngacmojnë njëri-tjetrin me shaka – është edhe punëtorja sociale, Shpresa Halimi. Donika dhe pacientët e tjerë të kësaj qendre mbështeten në Halimin kur kanë nevojë t’i përditësojnë dokumentet e identifikimit, të marrin leje për të dalë jashtë qendrës apo për të takuar e biseduar me familjarë.

Të 61 pacientët e QIRSKP-së kanë të drejtë të shkojnë te familjarët e tyre gjatë fundjavës për vizita. Halimi i dërgon ata vetë atje kur familjarët e tyre nuk kanë mundësi të vijnë t’i marrin.

“Rreth 70 për qind e punës që e bëj këtu është humanitet, këto gjëra i bëj për zemër e jo që i kemi obliguese”, thotë Halimi, e cila më vonë vazhdon bisedën me Laurën – emër i vendosur nga redaksia.

Laura i kërkon ta dërgojë te motra e saj në fshatin Dyz të Podujevës – kërkesë të cilën Halimi i premton se do t’ia realizojë kur të vijë momenti më i përshtatshëm.

Për Sadikun, psikologun e kësaj qendre, është mirë kur të paktën familjarët nuk i braktisin pacientët, por mbajnë kontakt me ta. Por, ai thotë se, në këtë aspekt, mbetet shumë për të dëshiruar.

“Nuk jemi të kënaqur me interesimin e familjarëve. Duhet edhe familja ta japë kontributin e vet për të na ndihmuar neve në trajtimin e pacientëve”, thotë Sadiku, i cili ka punuar në këtë qendër që nga viti 2001, ndërsa nga viti 2019 është punësuar në pozitën e psikologut.

Sipas tij, ndër arsyet pse familjarët nuk mbajnë kontakt me pacientët e kësaj qendre është për shkak të gjendjes së rënduar të tyre.

Drejtori i kësaj qendre, Miftar Zenelaj, thotë se për t’u pranuar në këtë qendër – që funksionon në kuadër të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) – pacientët duhet ta kenë diagnozë primare skizofreninë paranoide.

Çka është skizofrenia paranoide?

Në fjalorin e katërt të Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë (APA) thuhet se skizofrenia paranoide është “një nënlloj i skizofrenisë, i karakterizuar nga iluzione të theksuara ose halucinacione dëgjimore”.

Në vitin 2013, kjo shoqatë vlerësoi se paranoja është një nga simptomat e skizofrenisë dhe jo një çrregullim i veçantë dhe për këtë arsye ky term nuk ishte pjesë e fjalorit të mëvonshëm.

APA vendosi të mos i përfshijë në fjalorin e fundit as katër nënllojet e tjera të skizofrenisë. T

ani, ky fjalor e definon skizofreninë si “një çrregullim psikotik të karakterizuar nga çrregullime në të menduar, reagim emocional dhe sjellje, me një moshë të fillimit zakonisht mes adoleshencës së vonë dhe mesit të viteve të 30-ta”.

Gjendja e pacientëve që ndajnë këtë diagnozë nuk është e njëjtë për të gjitha. Disa prej tyre e kanë gjendjen më të rënduar dhe për këtë arsye janë vendosur në një repart të veçantë, ku mundësia për ta lënduar veten apo dikë tjetër është më e vogël.

“Këta pacientë paraprakisht janë trajtuar në institucionet tjera psikiatrike të vendit dhe kur shpenzohen të gjitha mundësitë që këta pacientë të trajtohen qoftë në familje, komunitet apo ndonjë institucion, atëherë vijnë te ne”, tregon drejtori i qendrës, Zenelaj. REL.

Ai thotë se për ta ndihmuar gjendjen e tyre – të cilën e quan si “diagnozën më të rëndë në psikiatri” – stafi i qendrës po tenton ta shndërrojë ambientin brenda qendrës nga pamja e një spitali në një ambient shtëpiak.

/GazetaSinjali/