Presidenti i televizionit CNN, Jeff Zucker, dha dorëheqjen të mërkurën pasi pranoi se ishte në një lidhje dashurie me një drejtuese tjetër të rrjetit televiziv.
Ai ishte për nëntë vjet në krye të kompanisë ku bën pjesë CNN-i, një prej kompanive më të mëdha mediatike në Shtetet e Bashkuara.
Zucker tha se e kishte konfirmuar marrëdhënien kur u pyet për të në kuadër të një hetimi ndaj gazetarit Chris Cuomo, i cili u pushua nga puna pasi doli në pah se kishte ndihmuar vëllain e tij, ish-guvernatorin e New York-ut, Andrew Cuomo, ndërsa ai po hetohej për ngacmime seksuale.
“Duhej ta kisha raportuar kur filloi marrëdhënia, por nuk e bëra një gjë të tillë. Gabova”, u shpreh Zucker.
Nuk është ende e qartë se kush do ta drejtojë televizionin CNN përpara se të caktohet presidenti i ardhshëm.
Me anë të një deklaratë, Zucker tha se do të kishte dashur që mandati i tij të kishte përfunduar ndryshe, por shtoi se përvoja e tij në CNN kishte qenë e mrekullueshme.
Allison Gollust, nënpresidente ekzekutive dhe shefe e marketingut në CNN, e pranoi marrëdhënien me anë të një deklarate.
“Unë dhe Jeff kemi qenë miq të ngushtë dhe partnerë në profesion për më shumë se 20 vjet. Së fundmi, natyra e marrëdhënies sonë ndryshoi gjatë COVID-it. Më vjen keq që nuk e konfirmuam në kohën e duhur. Jam jashtëzakonisht krenare për punën në CNN dhe pres me padurim të vazhdoj të kontribuoj në këtë punë të mrekullueshme që bëjmë çdo ditë”, tha ajo raporton VOA.
Para se të punonte në CNN, Gollust ishte drejtore komunikimi për ish-guvernatorin Andrew Cuomo, sipas një biografie të postuar në faqen e internetit të CNN-it.
Zucker u emërua si president i kompanisë “WarnerMedia News dhe Sports” në mars të vitit 2019. Ai gjithashtu ka shërbyer si president i “CNN Worldwide” që nga viti 2013./GazetaSinjali/