Kongresisti republikan i New York-ut, Chris Collins, ka dhënë dorëheqjen pas raportimeve se ai planifikon të deklarohet fajtor për akuzat e prokurorëve, sipas të cilëve, Collins i dha djalit të tij informacione të fshehta në lidhje me një firmë australiane të bioteknologjisë.
Ai i kishte quajtur akuzat “të pabaza” dhe u deklarua i pafajshëm, por raportohet se tash do të pranojë fajësinë.
Është e paqartë nëse ai do të pranojë fajësinë për akuzat origjinale kundër tij, ose për akuza tjera.
Sipas një zëdhënësi të kryesueses së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, Collins, të hënën, e dorëzoi letrën e tij të dorëheqjes, e cila do të hyjë në fuqi të martën.
Collins ishte një nga republikanët e parë kryesorë që miratoi kandidaturën presidenciale të presidentit, Donald Trump.
Prokurorët pretendojnë se ai e thirri djalin e tij në qershor të vitit 2017, duke i treguar atij disa informacione konfidenciale për kompaninë “Innate Immunotherapeutics”, në të cilën ai zotëronte aksione.